
Incident në Mitrovicë të Veriut, arrestohen dy serb
Dy persona janë arrestuar në Mitrovicë të Veriut pas përfundimit të aktivitetit kulturor “Mitrovica Jazz Days”, për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë publike.
Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Prishtinës, Veton Elshani, i cili tha se incidenti ndodhi pas përfundimit të performancës muzikore në sheshin “Car Lazar”.
“Sot rreth orës 16:00 në sheshin ‘Car Lazar’ është mbajtur festivali i jazz-it. Pas përfundimit të performancës, rreth orës 18:00, gjatë mbledhjes së pajisjeve muzikore nga ana e organizatorit, ka ndodhur një incident që ka sjellë deri te prishja e rendit dhe qetësisë publike”, deklaroi Elshani.
Sipas tij, dy persona janë ndaluar si të dyshuar dhe janë intervistuar nga policia. Rasti është duke u trajtuar në koordinim me prokurorin e shtetit, i cili do të vendosë për hapat e mëtejmë.
Elshani shtoi se pavarësisht incidentit, situata aktuale në Mitrovicë të Veriut është e qetë dhe nën kontroll./telegrafi