Policia dhe Dogana në Leposaviq parandalojnë dy raste të kontrabandës me mallra nga Serbia

Policia dhe Dogana në Leposaviq parandalojnë dy raste të kontrabandës me mallra nga Serbia

Kronika August 09, 2025 - 10:33

Dogana e Kosovës ka njoftuar se këto ditë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë realizuar një aksion të përbashkët në rajonin e Leposaviqit, pas pranimit të një informate operative për një automjet të dyshuar që mund të transportonte mallra të kontrabanduara pa dokumentacion përcjellës.

Sic njofton Dogana, në rastin e parë, gjatë patrullimit dhe kërkimeve në zonë, njësitë kanë hasur një automjet të braktisur në një rrugë anësore, i cili ishte i hapur dhe pa shofer.

“Brenda tij janë gjetur thasë plastikë dhe një sasi e konsiderueshme çokollatash të markave Snickers dhe Kinder, të mbuluara me letër kartoni. Automjeti ishte pothuajse i mbushur tërësisht me mall dhe është dërguar në Terminalin Doganor të Mitrovicës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, në rastin e dytë, njësitë antikontrabandes kanë ndaluar një automjet tjetër që transportonte pako të ndryshme mallrash.

“Pas kontrollit është konstatuar se brenda kishte kryesisht produkte ushqimore, pije joalkoolike dhe artikuj higjienikë, për të cilat shoferi nuk posedonte dokumentacion ligjor. Edhe ky automjet është dërguar në Terminalin Doganor të Mitrovicës për inventarizim të mallit”, thuhet në njoftim.

Dogana e Kosovës thekson se do të vazhdojë aksionet e përbashkëta me Policinë e Kosovës, me fokus në parandalimin dhe luftimin e kontrabandës, si dhe në mbrojtjen e ekonomisë së ligjshme të vendit./Zëri