
Gjithçka që dihet rreth vrasjes së trefishtë në Gjilan, Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij ende në arrati
Familjarët e njërit nga të vrarët në vrasjen e trefishtë në Gjilan njoftuan se familjari i tyre, Abedin Hoxha, varroset dje.
“Të dashur familjarë, miq dhe qytetarë,me dhimbje të thellë e me zemra të thyera ju njoftojmë që babai,vëllai,daja dhe familjari ynë i dashur Abedin Mehmetali Hoxha,dje,ndërroi jetë në rrethana të rënda tragjike në Gjilan. Për varrimin e tij ju njoftojmë nesër”, thanë dje nga familja.
Qyteti i Gjilanit dje u trondit nga një ngjarje e rëndë, ku tre persona u vranë si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Nga të shtënat me armë mbeten të vdekur babë e bir, argjendar të njohur që qytetin e Gjilanit, të cilën u vranë në një kafene afër objektit të komunës së Gjilanit.
Pak më vonë, vdiq edhe njëri nga të plagosurit rëndë, i cili po trajtohej në Spitalin e Gjilanit, duke e çuar bilancin në tre viktima.
I dyshuari për rastin është Mefail Shkodra, i cili tashmë është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.
Policia në komunikatën e fundit ka kërkuar ndihmë nga qytetarët nëse kanë informacione për vendndodhjen e të dyshuarit.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rasti tragjik ka ndodhur rreth orës 12:30.
“Ju njoftoj se sot 10.08.2025 rreth orës 12:32 dyshohet se ka ndodhur një rast vrasje dhe plagosje me armë zjarri në Gjilan rr. “Ibrahim Rugova “. Në këtë rast mjeku kujdestar e ka konstatuar vdekjen e dy personav ,dyshohet se edhe dy persona të tjerë janë plagosur dhe u është ofruar ndihmë në qendrën emergjente këtu në Gjilan. I dyshimt për rastin është personi mashkull shteras i Kosovës i njohur për polocinë I cili për momentin është në arrati”, kishte deklaruar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Policia e Kosovës nga ora 18:00 ka thirrë konferencë për media në ndërtesën e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.
Por, kush është Mefail Shkodra?

Në fundit të muajit qershor të vitit 2024, pas një aksioni të Policisë së Kosovës në Gjilan, Mefail Shkodra bashkë me djalin e tij Edonis Shkodra ishin arrestuar nën dyshimin e veprave penale të “Fajdës dhe Detyrimit”.
Të dy, bashkë me një person tjetër, i njohur Albert Malisheva dyshohej se kishin ushtruar presion dhe kërcënime ndaj një viktime me qëllim përfitimin financiar nga veprimet e tyre të paligjshme, duke shkaktuar dëme materiale në vlerë prej mbi 600,000 euro për viktimën.
Pas arrestimit, Mefail Shkodra dhe djali i tij, Edonis Shkodra u ndaluan me urdhër të Prokurorit për 48 orë.
“Gjatë operacionit policor në cilësi të provave materiale janë sekuestruar tri vetura, motorë sportiv, armë dhe municion, kartëmonedha euro, dokumente të ndryshme si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve”, kishte njoftuar Policia e Kosovës pas aksionit.
Në rrjete sociale nuk mungonte ekspozimi i jetës lukszove që Mefail Shkodra bënte. Makinat e shtrenjta, orët e kushtueshme, veshjet e markave të njohura dhe aksesorët prej ari janë të ekspozuara në postimet e tyre.
Të dyshuarit Mefail dhe Edonis Shkodra, veçanërisht, janë të njohur për pasionin e tyre për vetura që kushtojnë qindra mijëra euro.
Reagime pas vrasjes së trefishtë në Gjilan
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi pas ngjarjes duke shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe kërkoi veprim urgjent nga organet e rendit dhe drejtësisë.
Ajo theksoi nevojën për të sjellë autorët para drejtësisë dhe për të ndalur me vendosmëri veprimet kriminale që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve.
Për rastin ka reaguar edhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni. Ai e quajti këtë akt të dhunshëm e të papranueshëm derisa u shprehi ngushëllime familjarëve të viktimave.
Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka quajtur ngjarjen një tjetër alarm për pasigurinë dhe rritjen e kriminalitetit në Kosovë, duke kërkuar nga institucionet veprim të shpejtë për rikthimin e sigurisë dhe besimit të qytetarëve.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla gjithashtu reagoi për vrasjen e trefishtë, duke thënë se është momenti i fundit që institucionet e drejtësisë të reflektojnë e të mos ketë tolerim për asnjë kriminel e asnjë veprimtari kriminale.
Hetimet për këtë rast të rëndë po vazhdojnë, ndërsa shpresohet që autoritetet të arrijnë të kapin të dyshuarit në një kohë sa më të shpejtë dhe të zbardhin plotësisht motivet e kësaj vrasjeje që ka tronditur opinionin publik në Kosovë.