
Tejkalim i rrezikshëm në rrugën Prishtinë – Gjilan, familja e mërgimtarit nga Anglia i shpëton për pak aksidentit fatal
Një mërgimtar nga Anglia ka shprehur shqetësimin e tij rreth një situate aspak të këndshme për të dhe familjen e tij.
Ai në adresë të redaksisë së “Zërit” ka dërguar një video, ku shihet se jeta e tij dhe e familjes mesditën e së dielës ka qenë në rrezik nga një shofer i padisiplinuar.
K.I. ka bërë të ditur se në rrugën Prishtinë – Gjilan, përkatësisht në fshatin Parallovë, familja e tij katëranëtarëshe ka qenë e rrezikuar, pasi një shofer i cili drejtonte një veturë të tipit “BMW 1” ka kryer një tejkalim të rrezikshëm edhe pse ka parë se po vinte një veturë përballë.
“Jeta e familjes sime katëranëtarëshe u rrezikua. Ai na pa dhe sërish vazhdoi tejkalimin. Ne i kemi shpëtuar vdekjes vetëm pasi ndaluam veturën pothuajse krejtësisht – duke rrezikuar që dikush të na godasë nga prapa, vetëm për të shmangur përplasjen”, u shpreh mërgimtari.
Sipas tij, shoferi i BMW-së nuk tregoi asnjë pendesë pas veprimit.
K.I. tha se ka ardhur nga Anglia për pushime në Kosovë dhe nuk priste të përballej me rrezik jete në vendin e tij.
“Nuk kemi ardhur në Kosovë për të vdekur. Kemi ardhur për të pushuar”, thotë ai tutje në reagimin e dërguar në redaksinë tonë.
Ai ka kërkuar nga autoritetet që të marrin masa urgjente ndaj shoferit në fjalë. /Zëri