Policia jep detaje të reja për vrasjen e trefishtë në Gjilan, tre të dyshuarit ende në arrati

Policia jep detaje të reja për vrasjen e trefishtë në Gjilan, tre të dyshuarit ende në arrati

Kronika August 11, 2025 - 10:26

Mesditën e së dielës është tronditur vendi pas vrasjes së trefishtë që ndodhi në qendër të qytetit të Gjilanit, raporton Zeri.info.

Policia e Kosovës përmes raportit ditor ka bërë të ditur se, fillimisht në vendin e ngjarjes kishte ndërruar jetë një person, kurse dy të tjerët pasi që ishin dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Gjilanit.

Siç bëhet e ditur në raport, njëri prej të plagosurve, është duke u trajtuar në QKUK, kurse një tjetër po vazhdon trajtimin në Spitalin e Gjilanit si pasojë e lëndimeve që ka marrë nga mjetet e forta, shkruan tutje Zeri.info.

Po ashtu, Policia njofton se, në vendin e ngjarjes kanë arritur që ta arrestojnë një të dyshuar, i cili edhe është dërguar në mbajtje, kurse tre të tjerë të dyshuar, Mefail Shkodra, Edonis e Engjull Shkodra akoma janë në kërkim.

Raporti i plotë i Policisë, pa ndërhyrje:

VRASJE E RËNDË & PJESMARRJA NË RRAHJE

Gjilan / 10.08.2025 – 12:30. Pas marrjes së informatave për të shtëna me armë zjarri njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku viktima mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kompetent, ndërsa të plagosur janë hasur edhe tre persona të tjerë meshkuj kosovarë, dy prej të cilëve kanë ndërruar jetë pasi janë dërguar në emergjencën e spitalit në Gjilan. I plagosuri i tretë është dërguar në QKUK për tretman mjekësor, kurse në spitalin e Gjilanit është duke marr tretman mjekësor edhe një mashkull kosovar i lënduar nga mjetet e forta. Lidhur me rastin në vendin e ngjarjes përveç njësive relevante policore dhe ekipit mjekësor ka dalë edhe prokurori i shtetit. Në vendin e ngjarjes është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar i cili me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, kurse në kërkim policor gjenden edhe tre të dyshuar. Trupat e pajetë të viktimave me urdhër të prokurorit janë dërguar në IML për obduksion. /Zëri