Aktakuzë për dallavere ndaj pesë zyrtarëve të autoshkollave, në Pejë e Deçan
Foto: Ilustrim

Aktakuzë për dallavere ndaj pesë zyrtarëve të autoshkollave, në Pejë e Deçan

Kronika August 11, 2025 - 11:08

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër pesë personave për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në mënyrë të vazhdueshme kanë kryer veprën “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, “i pandehuri A.R. në mënyrë të vazhdueshme nga data 18.07.2022 e në vazhdimësi gjer me datën 22.09.2022, në Pejë, në cilësinë e personit zyrtar – ekzaminerit, ka ndihmuar disa kandidat me rastin e testimit teorik për patentë shoferi, duke u treguar pyetjet e sakta, ashtu që të njëjtët kanë arritur ta kalojnë testin teorik dhe të fitojnë kushtin për pjesën praktike. Me këto veprime i pandehuri A.R. ka kryer vepër penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga KPRK-ja”.

Ndërsa i akuzuari L.G., “sipas aktakuzës, më datën 18.07.2022 në Pejë, në cilësinë e personit zyrtar – asistent administrativë në njësinë për patentë shofer në Pejë, pasi një kandidat bie disa herë nga provimi për patentë shofer, i mundëson paraqitjen e provimit pa kryer fletëpagesën, përkatësisht duke shfrytëzuar fletëpagesën e provimit të kaluar për të cilën i ishte nënshtruar njëherë dhe më pas kandidati të njëjtën ditë kur e paraqet provimin, futet në të dhe e kalon testin teorik, duke fituar kushtin për t’iu nënshtruar pjesës praktik. Me këto veprime i pandehuri L.G. ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga KPRK-ja”.

“Të pandehurit D.T., A.A. dhe F.T., nga data 06.01.2022 e në vazhdimësi gjer me datën 13.09.2022 në Deçan, si zyrtar të një auto shkolle, përkatësisht instruktor profesional të licencuar, i plotësojnë disa kandidatëve librezën e orëve kinse të kryera, ani pse kandidatët nuk kanë qenë fare në Kosovë atë kohë dhe në këtë mënyrë të njëjtit më pas i nënshtrohen provimit për patentë shofer. Me këto veprime të pandehurit D.T., A.A. dhe F.T. kanë kryer vepër penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga KPRK-ja”.

Prokurori i rastit me rastin e ngritjes së aktakuzës përpos që ka kërkuar dënimin e të akuzuarve, ka propozuar edhe shqiptimin e dënimit plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik dhe ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës.