
Një muaj paraburgim të dyshuarit për vrasjen në Prizren
Gjykata Themelore Prizren - Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtari i procedurës ka caktuar masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, për të pandehurin E.B., e cila mund të zgjasë deri më datën 11.09.2025 për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Gjykata ka njoftuar se pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, gjeti se kërkesa e Prokurorisë Themelore për caktimin e paraburgimit është e bazuar dhe gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, sepse nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
“Më datë 10 Gusht 2025, rreth orës 20:30 min., në Prizren, në lagjen ‘Tusus’, në rrugën ‘Lapidari’, i pandehuri pas një mosmarrëveshjeje paraprake në mënyrë dinake dhe duke shfrytëzuar besimin e viktimës, me dashje privon nga jeta të ndjerin H.Sh., , në atë mënyrë që fillimisht nxisin qenët e tyre në një përleshje dhe pas një fjalosje të shkurtër i pandehuri papritmas dhe në mënyrë të befasishme e nxjerr thikën patent, ngjyrë e zezë dhe e godet në pjesën e gjoksit H.Sh., i cili nuk e ka pritur këtë goditje me faktin se ata kanë qenë shok, më pas i pandehuri ik në drejtim të fshatit, ndërsa i ndjeri përcillet në qendër emergjente të spitalit ‘Daut Mustafa’ në Prizren, në gjendje të rëndë shëndetësore, ku më pas është dërguar në QKUK në Prishtinë, ku edhe ndërron jetë nga plagët e marra”.
“Gjithashtu më datë, kohë dhe vend të njëjtë posedon armën e ftohtë, pa leje, në vend publik ku ishin të grumbulluar një numër i madh i njerëz, duke e përdorur për qëllime vdekjeprurëse thikën patent, me ngjyrë të zezë, me të cilën ka shkaktuar vdekjen e të ndjerit H.Sh., krejt kjo në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi posedimin e armëve të ftohta”.
“Duke marrë parasysh provat materiale të mbledhura deri në këtë fazë, të cilat arsyetojnë dyshimin e bazuar se i pandehuri ky kryer veprat penale, Gjykata vlerëson se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, sepse i pandehuri pas kohës kur dyshohet se ka kryer veprën penale ka qenë në arrati, dhe prania e tij para institucioneve të drejtësisë është siguruar pas kërkimit dhe arrestimit nga ana e Policisë së Kosovës, nga këto arsye ekziston rreziku se me lënien në liri apo masë alternative, i njëjti mund të jepet në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe të jetë i paarritshëm për institucionet, duke penguar zhvillimin e procedurës hetimore të pa penguar”, ka njoftuar Gjykata, transmeton Zeri.info.
Gjithashtu Gjykata njoftoi se kjo çështje penale është në fazën fillestare të hetimit, dhe para Prokurorit të Shtetit do të merren në pyetje dëshmitarët e rastit dhe i pandehuri, andaj me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i ndikimi në dëshmitarë, apo fshehjes së fakteve dhe provave tjera materiale, për çka është konstatim i Gjykatës se caktimi i paraburgimit është i arsyeshëm.
“Caktim i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm duke vlerësuar edhe peshën e rëndë të veprës penale, pasojat që ka shkaktuar, rrethanat dhe mënyrën në të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ku i pandehuri pas një mosmarrëveshje paraprake, në mënyrë dinake dhe duke shfrytëzuar besimin e viktimës, me dashje e privon nga jeta, pas një fjalosje të shkurtër papritmas dhe befasishëm i pandehuri nxjerr thikën dhe e godet viktimën në pjesën e gjoksit”.
“Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është masa më oportune, me qëllim të sigurimit të prezencës së të pandehurit në procedurën paraprake dhe para institucioneve të drejtësisë, mbarëvajtjen e pa penguar dhe të rregullt të fazës hetimore”, thuhet në njoftim. /Zëri