Aktakuzë ndaj 21 të dyshuarve për dëbimin e popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë
Foto: Laura Hasani

Aktakuzë ndaj 21 të dyshuarve për dëbimin e popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë

Kronika August 15, 2025 - 11:38

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore ndaj 21 personave për dëbimin e popullsisë civile nga territori i Kosovës gjatë luftës së fundit.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, tha para gazetarëve se është bërë punë e madhe dhe janë siguruar shumë prova për këtë akuzë.

“Aktakuzë që kemi dorëzuar në gjykatë, që besojmë se përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë dhe përgjegjësisë për vuajtjet që janë shkaktuar gjatë luftës në Kosovë.

Është bërë një punë e madhe dhe e përkushtuar, për të siguruar që aktakuza të ketë prova, përtej çdo dyshimi të bazuar mirë, pavarësisht që ajo është ngritur në mungesë”, tha kryeprokurori Isufaj.

Image
Blerim Isufaj, kryeprokuror i Prokurorisë Speciale

Prokurori i çështjes, Atdhe Dema, ka dhënë detaje rreth aktakuzës, për të cilën tha se janë 21 të pandehur – por që do të gjykohen në mungesë.

“Pas vitesh hetime intensive në këtë rast, sot kemi dërguar një aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin Special.

Kjo akuzë është ngritur për krime lufte kundër popullatës civile, që lidhet me periudhën prej janar – qershor 1999.

Sipas provave të mbledhura, gjatë hetimeve paraprake, ekziston dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit, janë 21, duke ushtuar kontroll dhe autoritet efektiv mbi forcat e armatosura (pra Ushtria e Jugosllavisë dhe policia e Serbisë) kanë pasur njohurinë e mjaftueshme, për të ditur se pjesëtarë të atyre forcave kanë kryer vepra të ndaluara rreptësisht nga e Drejta Ndërkombëtare Humianitare”, tha prokurori Dema.

Image
Prokurori Atdhe Dema

Prokurori Dema, ka bërë të ditur se kanë lëshuar edhe urdhër-arreste ndërkombëtare për këta 21 të pandehur, megjithëse shton se "të njëjtët aktualisht janë të paarritshëm për Prokurorinë’.

“Ne kemi bërë kërkesë për urdhër-arrest ndërkombëtar me kohë, kemi bërë veprimet e nevojshme. Deri në këtë moment të njëjtit janë të paarritshëm për Prokurorinë”, tha Dema.

Aktakuza e ngritur ndaj 21 të pandehurve, sipas prokurotit të Prokurorisë Speciale, Atdhe Dema, ngarkon të akuzuar me ‘veprime që përfshijnë, shkatërrimin sistematik të pronës civile, sulmeve të drejtpërdrejta ndaj civilëve, përndjekje dhe ndalime arbitrare që në fund kanë rezultuar me dëbim masiv të tyre drejt vendeve fqinje”.

“Këto veprime përbëjnë pjesë të një fushate të gjërë, që kanë rezultuar me zhvendosjen me dhunë të rreth 863 mijë civilëve shqiptarë, sipas statistikave zyrtare”, tha Dema.