Gjuajtën me armë në aheng, arrestohen tre persona
Foto: Zëri / Ilustrim

Gjuajtën me armë në aheng, arrestohen tre persona

Kronika September 02, 2025 - 13:41

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar tre persona, të cilët dyshohet se gjatë një ahengu familjar kanë shtënë me armë zjarri, njëri prej të arrestuarve thotë policia se është kapur në aeroportin e Prishtinës.

“Më datën 01.09.2025, rreth orës 15:30, Sektori i Hetimeve në Stacionin Policor Prizren - Veri, përmes një videoregjistrimi të publikuar në media, ka pranuar informacionin për shkrepje me armë zjarri gjatë një gazmendi familjar në fshatin Trepeticë, komuna e Prizrenit. Menjëherë pas pranimit të informacionit është njoftuar prokurori i Shtetit dhe janë ndërmarrë veprimet e duhura procedurale dhe hetimore”, thotë Policia e Kosovës.

Kanë treguar se është lokalizuar vendi i ngjarjes dhe janë identifikuar personat e dyshuar dhe me urdhër verbal të Prokurorit të Shtetit dhe pëlqimin e gjyqtarit të procedurës paraprake, janë bastisur tri shtëpi të të dyshuarve.

“Gjatë bastisjeve janë gjetur dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: Katër armë zjarri të tipit pistoletë si dhe Sasi e fishekëve dhe gëzhoja. Si rezultat i veprimeve hetimore tre persona të dyshuar janë arrestuar dhe dy tjerë kanë mbetur në kërkim policor, më vonë me datë 02.09.2025 rreth orës 02:08 , në aeroportin e Prishtinës është ndaluar dhe arrestuar edhe i dyshuari i tretë. Pra tre nga të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë me aktvendim të prokurorit të Shtetit”, thotë Policia e Kosovës.

Kanë bërë të ditur se për katër të dyshuar është iniciuar procedurë hetimore për veprën penale: “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa ndaj njërit prej të dyshuarve, i cili sipas policisë ishte këngëtar në gazmendin familjar, është iniciuar procedurë hetimore për : “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.

Policia e Kosovës ka ritheksuar se moslajmërimi i veprave penale ose kryesve të tyre është vepër penale gjithashtu.