Një muaj nga vrasja e trefishtë në Gjilan, të dyshuarit ende në arrati- Policia thotë se po punojnë intensivisht

Një muaj nga vrasja e trefishtë në Gjilan, të dyshuarit ende në arrati- Policia thotë se po punojnë intensivisht

Kronika September 10, 2025 - 16:34

Sot është bërë një muaj nga vrasja e tre personave në Gjilan- Selami Hasani, Edmond Hasani (babë e bir) dhe Abedin Hoxha. Të dyshuar për këtë rast janë Mefail Shkodra me dy djemtë Engjullin dhe Edonisin, të cilët janë ende në arrati.

Drejtoria Rajonale e Gjilanit, në një përgjigje për Gazetën Express, ka thënë se po punojnë intensivisht dhe se kanë marrë masa të shtuara.

“Po punojmë intensivisht, me masa të shtuara në momentin që do të kemi zhvillim të ri menjëherë do të ju njoftojmë”, thuhet në përgjigje.

Ndërsa tre ditë pas rastit, Policia kishte thënë se kanë ndërmarrë masa të shtuara për lokalizimin dhe arrestimin e tre të dyshuarve për vrasjen e trefishtë që ndodhi atje të dielën e 10 gushtit. Po ashtu policia ka njoftuar të gjitha pikat kufitare dhe kanë zhvilluar bastisje në vendet ku “kanë besuar” se mund të strehohen të dyshuarit.

“Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të shtuara për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve të këtij rasti të rëndë. Përveç masave operative që i kemi në vazhdimësi kemi apeluar edhe përmes mediave duke i bërë publike profilet e personave të dyshimtë të kërkuar dhe   kushdo që posedon informacion në lidhje me vendndodhjen e tyre ta kontaktoj Policinë e Kosovës ku do qoftë në stacionin ma të afërt. Janë njoftuar të gjitha pikatë kufitare  që nga momenti i parë kur është raportuar rasti. Janë zhvilluar shumë bastisje në lokacione të ndryshme ku kemi besuar se mundë të strehohen të dyshuarit”, thuhet në përgjigjen e 13 gushtit të policisë.

Lidhur me këtë rast,Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar katër zyrtarë policorë: Bekim Sabedini, Metush Arifi, Ardian Demiri dhe Shaban Hajdaraj.

Rasti dyshohet të ketë ndodhur për shkak të fajdes. /express