
Sot, seanca e radhës në rastin e Liridona Ademajt
Sot pritet të vazhdojë gjykimi në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Kështu ka bërë të ditur vëllai i të ndjerës, Leonard Ademaj, i cili tha se seanca do të nisë nga ora 09:00, teksa i ka ftuar mediat të jenë prezente.
Seanca e fundit në rastin e Liridona Ademajt ishte mbajtur më 14 korrik të këtij viti, ku pati dëshmuar pikërisht Leonard Ademaj, vëllai i së ndjerës.
Në fjalën e fundit me të përmbyllur dëshminë e tij, në rastin e vrasjes së motrës së tij Liridonës, ai kërkoi para trupit gjykues dënim kapital për dorasin.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të vitit 2023, në Bërnicë të Prishtinës. Në mesin e të dyshuarve është edhe ish-bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Murseli akuzohet se i kishte premtuar Granit Plavës 30 mijë euro për ta kryer krimin e rëndë, ndërsa i akuzuar tjetër për këtë rast është edhe Kushtrim Kokalla.