
Aktakuzë ndaj Butës për shitblerje të narkotikëve e armëmbajtje pa leje, rep-artisti gjendet në paraburgim
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj rep-artistit Betim Januzi i njohur si Buta, duke e ngarkuar për shitblerje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje. Reperi ishte ndaluar më 11 shtator dhe tani gjendet nën masën e paraburgimit.
Fillimisht, lajmin se Buta gjendet nën masën e paraburgimit e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, Burim Çerkini, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Ferizaj.
“Ai është në paraburgim moti qe një javë e më shumë”, ka thënë Çerkini.
Ndërsa, në një përgjigje me shkrim për “Betimi për Drejtësi”, Prokuroria Themelore në Ferizaj, kanë treguar se më 12 shtator kanë kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
“Duke iu referuar kërkesës suaj për informacion, ju njoftojmë se më 11 shtator 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar i dyshuari B.J., në kohëzgjatje prej 48-orësh për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’, nga Neni 267 paragrafi 1 të KPRK-së dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, sanksionuar me Nenin 366 paragrafi 1 të KPRK-së. Prokurori i Shtetit, ndaj të pandehurit B.J., me datë 12 shtator 2025, ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për shkak të dyshimit të arsyeshëm të veprave penale të lartcekura”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Ndërkaq, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Ferizaj, Gentiana Hoxha konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se Januzi gjendet nën masën e paraburgimit, masë kjo e cila i është caktuar deri më 10 tetor.
Hoxha bëri të ditur se tashmë ndaj Butës është ngritur aktakuzë, ndërsa seanca fillestare është caktuar për 1 tetor 2025.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datën 11 shtator 2025 rreth orës 21:00, në rrugën “Zenel Hajdini” në Ferizaj, Betim Januzi “Buta” ka mbajtur në posedim pa autorizim substancë narkotike të dyshuar si kokainë dhe marihuanë, me qëllim shitjeje apo shpërndarje.
“Policia gjatë një kontrolli rutinë ka ndaluar veturën e tipit BMW, të cilin e voziste i pandehuri dhe gjatë kontrollit në veturën e tij është gjetur një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë 0.30 gr, në çantën e dorës së të dyshuarit janë gjetur edhe 3 qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë të përgjithshme 1.32 gr dhe një qese me substancë të dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë 0.46 gr, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e të pandehurit janë gjetur edhe 2 qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 2.62 gr, të cilat janë sekuestruar nga polica, me këtë do të kryente veprën penale ‘Blerja, posedimi , shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’, nga Neni 267 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë kur kërkoi caktimin e paraburgimit.
Sipas Prokurorisë, Butës gjatë kontrollit i është gjetur një armë zjarri, ndërkaq në banesë iu gjet edhe municion.
“Ndaj të njëjtit ekziston dyshimi i bazuar se më datë, kohë dhe vend të njëjtë ka mbajtur në posedim pa autorizim, në kundërshtim me ligjin për armët , në atë mënyrë që policia gjatë një kontrolli rutinë ka ndaluar veturën e tipit BMW dhe gjatë kontrollit në veturën e tij është gjetur një armë zjarri e tipit pistoletë, me një karikator dhe 16 fishek të tipit luger 9×9 mm, kurse, me rastin e kontrollit në banesën e tij janë gjetur edhe 26 fishek të tipit luger me kalibër 9×9 mm të cilat janë sekuestruar nga policia”, njoftoi Prokuroria.
Naim Ferati, avokat i Butës, ka thënë se nuk mund të prononcohet për media.
“Nuk mund të konfirmojmë asgjë, nuk kemi autorizim për me u prononcu për media për këtë rast”, ka thënë Ferati për “Betimi për Drejtësi”. /BetimipërDrejtësi