Gjykata lëshoi urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj Sveçlës, Pacolli-Dalipit dhe Zybës - seanca pritet të mbahet në tetor

Gjykata lëshoi urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj Sveçlës, Pacolli-Dalipit dhe Zybës - seanca pritet të mbahet në tetor

Kronika September 25, 2025 - 12:50

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 18 shtator 2025, ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe deputetëve të Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, të cilët bashkë me ish-deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Drita Millaku, akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars 2018.

Kjo urdhëresë është lëshuar pasi Sveçla, Zyba dhe Pacolli-Dalipi munguan në seancën e 16 shtatorit 2025. Për tre të akuzuarit gjyqtari Sabit Sadikaj në atë seancë tha se janë ftuar sipas procesverbalit të seancës paraprake dhe nuk kishte kërkesë për shtyrje të seancës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, Gjykata Themelore në Prishtinë konfirmoi se urdhëresa e lëshuar nga gjyqtari Sadikaj duhet të ekzekutohet nga Policia e Kosovës dhe të akuzuarit të sillen në seancë më 31 tetor 2025.

“Në seancën e shqyrtimit gjyqësor të datës 16.09.2025, të pandehurit F.P.D, S.Z., dhe XH.S. edhe pse ishin ftuar me procesverbalin e seancës së shqyrtimit paraprak, të njëjtit kanë munguar në seancë, ndërsa mungesën nuk e kanë arsyetuar. Gjyqtari i kësaj çështje penale Sabit Sadikaj, bazuar në një gjendje të tillë të fakteve, jashtë seancës me datë 18.09.2025 ka lëshuar Urdhëresë për sjellje me detyrim kundër të pandehurve F.P.D, S.Z., dhe XH.S., dhe ka urdhëruar Policinë e Kosovës që të ndërmarr veprimet e duhura, në mënyrë që të mund të ndërmerren veprimet e mëtejme procedurale nga gjykata dhe të vendoset lidhur me këtë çështje penalo-juridike. Urdhëresën do ta ekzekutoj Policia e Kosovës, ashtu që tre të pandehurit duhet të sillen në gjykatë më datë 31.10.2025, në orën 10.00”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2024 ka konfirmuar aktakuzën Sveçlës, Millakut, Zybës dhe Pacolli-Dalipit, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-ës. Kurse, vendimin e Themelores e vërtetoi më pas Gjykata e Apelit.

Ndryshe në seancën fillestare të mbajtur më 26 mars 2024, katër të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, por për këtë vepër në seancën fillestare gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, kishte njoftuar se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

“Betimi për Drejtësi”, në tetor të vitit 2021 kishte raportuar ekskluzivisht për aktakuzën e ngritur ndaj ministrit Sveçla dhe deputetëve Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila rezulton të jetë ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.

Aty thuhet se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.

Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës ne kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.