Asnjë gjurmë që nga 2 tetori, gruaja në Prishtinë kërkon ndihmë për ta gjetur burrin

Asnjë gjurmë që nga 2 tetori, gruaja në Prishtinë kërkon ndihmë për ta gjetur burrin

Kronika October 05, 2025 - 19:29

Shtetasi i Turqisë, Bulent Bozkurt, i cili jeton dhe vepron aktualisht në Kosovë, është raportuar i zhdukur nga bashkëshortja e tij, që nga data 2 tetor.

Selvete Bozkurt për Klankosova ka deklaruar se burrin e saj për herë të fundit e ka parë rreth orës 20:40, derisa ajo ishte në punë dhe ai ia kishte dërguar një kafe.

Ajo u shpreh se Bulenti i kishte thënë se pas takimit me të, do shkonte të ndiqte një lojë të futbollit në njërin prej lokaleve në kryeqytet.

“Për herë të fundit e kam takuar më 2 tetor në ora 20:40 kam qenë në punë dhe ma solli një kafe për ta pirë, më pas nuk e kam kontaktuar në telefon sepse isha në punë dhe nuk kam pasë mundësi”.

“Para se të ndaheshim atë natë, më tha se do të dilte në qytet për të ndjekur një lojë futbolli”, tha Selvetja.

Bozkurt tutje u shpreh se me të shkuar në shtëpi kishte dalë për ta kërkuar burrin, por nuk e kishte gjetur. Pas kësaj, ajo tha se rastin e ka lajmëruar në polici.

“Kam shkuar pardje dhe dje në polici ku e kam raportuar burrin si të zhdukur”, tha Bozkurt.

Për këtë rast, ka njoftuar edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh.

“Në konsultim me prokurorin është inicuar lënda e rastit dhe vazhdon të hetohet”, thuhet në njoftimin e policisë, derisa rasti po trajtohet si “Person i zhdukur”.

Selvetja për Klankosova.tv ka pohuar se telefonin e burrit të saj e kishte gjetur në veturën e tij, ku e kishin të parkuar në lagjen “Dragodan” në Prishtinë ku edhe jetojnë. Më tej, ajo tregoi se vetura e tyre është e parkuar aty për disa ditë pasi ka prishje.

E njëjta përmes Klankosova.tv lutë qytetarët se nëse e shohin bashkëshortin e saj ose kanë informacione rreth tij, të lajmërohen në numrin kontaktues:+38345486591.