
Zbulohen detaje nga autopsia, dëshmon eksperti mjekoligjor në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur seanca gjyqësore ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt – Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës.
Në këtë seancë po dëshmon eksperti i mjekësisë ligjore, Naim Uka, i cili ka hartuar raportin e obduksionit për viktimën.
Gjatë dëshmisë së tij, Uka ka sqaruar detaje rreth plagës së shkaktuar dhe shkakut të vdekjes së Liridona Ademajt.
“Po, gjatë procedurave të autopsisë mjeko-ligjore është konstatuar vrima hyrëse në regjionin e djathtë muror të kokës, e shkaktuar nga veprimi dinamik i predhës së hedhur nga arma e zjarrit, që ka pasur drejtim nga djathtas majtas, nga përpara prapa dhe nga poshtë pjerrtas lart. Është e rëndësishme të ceket se pjesë metalike të kësaj predhe janë gjetur në anën e majtë murore të kokës, të cilat janë dorëzuar si prova sipas zinxhirit të ruajtjes te policët hetues. Si rezultat i kësaj plage ka ardhur gjakderdhja e jashtme dhe e brendshme trurore, e cila ka qenë edhe shkaku i vdekjes”, ka deklaruar Uka para trupit gjykues.
Vrasja e Liridona Ademajt ndodhi më 29 nëntor 2023 në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
Sipas Prokurorisë, ngjarja ishte inskenuar si grabitje, ndërsa dyshohet se Naim Murseli e kishte organizuar vrasjen, me Granit Plavën si ekzekutues dhe Kushtrim Kokallën si bashkëpunëtor. /Dukagjini