Murseli pyet mjekun ligjor: A e vërteton kjo që unë e kam mbajtur gruan time në momentin e vrasjes?

Murseli pyet mjekun ligjor: A e vërteton kjo që unë e kam mbajtur gruan time në momentin e vrasjes?

Kronika October 06, 2025 - 11:22

Në seancën gjyqësore të së hënës për vrasjen e Liridona Ademajt, mjeku ligjor Naim Uka u përballë me pyetje të drejtpërdrejta nga vetë i akuzuari Naim Murseli lidhur me hematomën e konstatuar në trupin e së ndjerës.

Murseli tha se, sipas Prokurorisë, shenja në krahun e Liridonës është shkaktuar nga ai, pasi dyshohet se e kishte mbajtur për të mos iu shmangur plumbit.

“Në kushte normale unë nuk kam nevojë as për të bërë pyetje, sepse nuk besoj që një shenjë në dorë, e cila nuk ka qenë prezente në momentin e vrasjes, por prokuroria në aktakuzën e saj pohon që kjo shenjë është shkaktuar nga unë, sepse sipas saj kam mbajtur bashkëshorten time për të mos iu shmangur plumbit. A e vërteton kjo që unë e kam mbajtur gruan time në momentin e vrasjes?”, pyeti ai.

Në përgjigje, Uka theksoi se mjeku ligjor nuk ka rol interpretues për rrethanat e ngjarjes, por vetëm përshkrues të dëmtimeve të konstatuara.

Ai tha se: “mjeku ligjor nuk paragjykon pozita apo situata të cilat kanë mundur të jenë në momentin e vrasjes”.

Sipas tij, “detyra e mjekut ligjor është të bëjë përshkrimin e qartë të çdo dëmtimi trupor, duke i përshkruar karakteristikat e lëndimeve të gjetura, në bazë të të cilave bëhet interpretimi për prokurorinë dhe trupin gjykues”.

Uka shtoi se është “normale që në një raport të autopsisë të shënohen pohime të tilla”.

I akuzuari kërkoi sqarime edhe për kohën e mundshme të shkaktimit të hematomës.

“A ka mund të ndodhë 59 minuta para vdekjes apo 10 sekonda para vdekjes? A është e saktë kjo?”, pyeti Murseli.

Duke iu përgjigjur, mjeku ligjor tha se periudha mund të jetë më e gjerë.

“Kjo ka mundur të shkojë deri në tre orë, pra prej 0 deri në 3 orë para momentit të vdekjes. Siç e theksova edhe më herët, e ndjera ka qenë në obezitet dhe për këtë arsye variablat e shkaktimit të këtij dëmtimi zgjerohen”, sqaroi Uka.

Në fund të dëshmisë, Murseli pyeti nëse ekziston mundësia që shenja të jetë shkaktuar nga vetë e ndjera në tentativë për t’u larguar.

Uka u përgjigj shkurt se “nuk mund ta përjashtoj dhe nuk është detyrë e imja”. /eo