Administrohen provat materiale në gjykimin ndaj Shaqir Lutvijës, i akuzuar për krime lufte

Administrohen provat materiale në gjykimin ndaj Shaqir Lutvijës, i akuzuar për krime lufte

Kronika October 06, 2025 - 15:28

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin për krime lufte ndaj të akuzuarit Shaqir Lutvija, është bërë administrimi i provave materiale.

Prokurori special, Ilir Morina, i propozoi Gjykatës që në përputhje me dispozitat ligjore të administrohen provat, të propozuara sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarit Lutvija, avokatja Jovana Filipoviq tha se mbetet pranë kundërshtimeve që këto prova të shpallen si të palejuara. Kurse, lidhur me raportin informues dhe një CD, avokatja tha se nuk i janë dorëzuar edhe pse këtë e kishte kërkuar edhe nga Prokuroria edhe nga Gjykata disa herë.

Por, prokurori Morina e konsideroi të pavend këtë deklarim, pasi që në seancën e fundit e kishte pyetur lidhur me provat nëse ka ndonjë mungesë. Tha se sikur t’i kishte njoftuar me kohë, do t’ia bënin një kopje sërish edhe pse tha se Prokuroria ka dëshmi se e kanë përmbushur obligimin.

Po ashtu, prokurori tha se CD-ja ka qenë vetëm sa për informim të prejardhjes së raportit informues.

Propozimin e prokurorit Morina për shikimin e CD-së, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi, e refuzoi për shkak se sipas tij disa dëshmitarë janë dëgjuar në gjykim, ndërsa tha se administrohen provat nga pika 15 deri 24. Për CD, tha se Prokuroria ishte tërhequr nga ajo provë materiale.

Ndërsa, sa i përket propozimit të mbrojtjes që provat materiale të shpallen si të papranueshme, gjykatësi Krasniqi tha se për këto prova ka vendosur Gjykata e Apelit me rastin e kundërshtimit të provave, për të cilat i ka shpallur si të ligjshme.

Gjithashtu, avokatja Filipoviq propozoi që të administrohen provat e mbrojtjes të paraqitura përmes parashtresave. Për këto, prokurori kërkoi leximin e tyre dhe t’i sqarojë se çka do të vërtetohet me këto.

Në seancë, avokatja Filipoviq elaboroi provat që i propozoi për administrim. Tha se përmes tri vendimeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, në lidhje me punën e të akuzuarit Lutvija, do të vërtetohet se ku ka qenë i punësuar i akuzuari.

Ndërsa, me provën 4 tha se do të vërtetohet se përmes profilit të Facebook-ut të I.A., ka qenë një thirrje publike për identifikimin e një personi me një shenjë të fytyrë, përmes vendosjes së fotove të të akuzuarit, ashtu që dëshmitarët eventualë të mund të identifikojnë kryerësin.

Lidhur me këto prova, prokurori Morina tha se nuk dihet origjina e këtyre vendimeve, pasi që thuhet se janë në vitin 2002 dhe nuk janë në dijeni se cili organ i ka lëshuar këto vendime.

Ndërsa, sa i përket provës së katërt, prokurori tha se ai individ nuk është palë në procedurë dhe se po bëhet një keqinterpretim i punës që ka bërë Prokuroria.

Më pas, gjykatësi Krasniqi refuzoi propozimin e mbrojtjes, si prova thelbësisht të pambështetshme për shkak se këto prova janë dorëzuar në kopje dhe gjykata e ka të pamundur që të bëjë verifikimin e tyre nëse janë origjinale.

Ndërsa, sa i përket kopjes së marrë nga profili i Facebook-ut me emrin I.A., Gjykata ka konstatuar se kjo provë nuk është siguruar në mënyrë të ligjshme dhe nuk mund të përdoret në procedurë penale dhe personi në fjalë nuk është person që i përket organeve të ndjekjes në Kosovë, i cili ka mund të bëjë thirrje për identifikimin e të akuzuarit.

Në seancën fillestare të mbajtur më 17 shtator 2024, Lutvija u deklarua i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 4 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Shaqir Lutvijës, i cili akuzohet se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, gjatë periudhës kohore 1998-1999, në Prizren, gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka ushtruar masat represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor.

Aktakuza thotë se sipas dëshmisë së dëshmitarëve: Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba, i akuzuari Lutvija nga 28 shtatori 1998 deri më 7 tetor 1998, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të forcave policore, kanë ndërmarr një fushatë për arrestimi e tyre në burgun e Prizrenit, në cilësinë e popullatës civile të nacionalitetit shqiptar, në mesin e të cilëve ishin: R.J. dhe të lartcekurit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, forcat serbe pas arrestimit i dërguan në Stacionin Policor në Prizren, me ç’rast i akuzuari Lutvija së bashku me të pandehurit e tjerë, në cilësinë e inspektorit të këtij stacioni, i morën në pyetje të dëmtuarit dhe gjatë procesit të marrjes në pyetje i kanë rrahur me boksa e shqelma, me mjete të tjera të forta dhe metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor.

Në aktakuzë thuhet se Lutvija dhe të pandehurit tjerë, kanë përdorë mjete të rrymës elektrike, të cilat ua vendosnin në pjesën e duarve dhe në organe gjenitale, me ç‘rast si pasojë e kësaj R.J., kishte vdekur, kurse Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba pësuan lëndime serioze trupore.

Me këtë, Lutvija po akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, nga Neni 142, lidhur me Nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së. /BetimipërDrejtësi