
Aktakuzë ndaj një personi në Gjakovë për shitblerje narkotikësh dhe armëmbajtje pa leje
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër një të pandehuri me inicialet E.M.
Sipas aktakuzës, ndër të tjera, ceket se më 11.08.2025, rreth orës 21:25, në Gjakovë, rr. “Gasper Karaqi”, i pandehuri me qëllim të shitjes ose shpërndarjes pa autorizim posedon substanca ose preparate, të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge, në atë mënyrë që derisa i pandehuri ka qenë duke lëvizur përgjatë rrugës së lartcekur me automjetin e tij Audi A6 me targa të regjistrimit …., në një pikë kontrolli është ndalur nga zyrtarët policor të NJRSH-së, ku gjatë kontrollit në çantën e të pandehurit gjenden dhe sekuestrohen gjashtë (6) qese të mbushura me substancë narkotike, ashtu që nga ana e hetuesve në mënyrë urgjente është kryer kontrolli dhe bastisja në banesën e të pandehurit me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar substanca narkotike, një peshore digjitale, dy palë gërshërë, një lugë metalike, shirit ngjitës, shkrepës dhe qese të vogla të zbrazëta, të cilat kanë shërbyer për përgatitjen dhe më pas shitjen apo shpërndarjen e substancës narkotike, të cilat janë sekuestruara nga hetuesit policor, me ç’rast pas ekzaminimit nga AKF sipas raportit është konstatuar substancë narkotike e llojit kokainë me peshë të përgjithshme 342.06 gramë.
Gjithashtu i pandehuri nga data e pavërtetuar e deri më datë 11.08.2025, rreth orës 21:25 në Gjakovë, ka mbajtur në pronësi armë në kundërshtim me Ligjin për Armë Nr. 05/L-022 dhe atë një (1) pistoletë me gaz të llojit Zoraki dhe një (1) karikator, e sekuestruar nga ana e policisë.
Me këto veprime i pandehuri, sipas Prokurorisë, E.M. ka kryer veprat “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge” nga Neni 267, par. 1 i KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga Neni 366, par. 1 i KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale, të cilat i vihen në barrë.