Edukatorja në pranga, Prokuroria nis hetimet ndaj rastit në Lipjan

Edukatorja në pranga, Prokuroria nis hetimet ndaj rastit në Lipjan

Kronika October 08, 2025 - 11:29

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj edukatores së një çerdheje në Lipjan, e cila dyshohet për shkaktimin e lëndimeve trupore të një fëmije njëvjeçar.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala, duke shtuar se ndaj të dyshuarës është nxjerrë urdhër ndalimi për 48 orë.

“Me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për dyzet e tetë (48) orë e dyshuara për shkak të veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ sipas Nenit 185 të KPRK-së. Aktualisht po kryhen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rastit”, tha Shala.

Edhe Policia e Kosovës, përmes zëdhënëses Flora Ahmeti, konfirmoi mbrëmë arrestimin e edukatores dhe dërgimin e saj në mbajtje pas veprimeve hetimore.

“Po, pas përfundimit të disa veprimeve hetimore është arrestuar personi i dyshuar dhe me vendim të prokurorit e njëjta është dërguar në mbajtje”, tha Ahmeti.

Rasti u bë i njohur pasi nëna e fëmijës kishte vërejtur shenja të thonjve në fytin e vajzës njëvjeçare gjatë marrjes nga çerdhja.

Daja i vogëlushes, Shaban Avdyli, tregoi për Klankosova.tv se fillimisht dyshimet u lindën pas këtij incidenti dhe se ata kishin kërkuar të shihnin pamjet nga kamerat e sigurisë.

“Kjo është situata në fjalë: Ka shkuar nëna e vajzës për ta marrë vajzën nga çerdhja dhe e kanë vërejtur vajzën me shenja thonjsh në fyt. Dyshuam se edukatorja mund të kishte ushtruar dhunë fizike ndaj vogëlushes njëvjeçare”, u shpreh për Klankosova.tv.

Avdyli shtoi se dyshimet e para i kishin tek edukatorja, ndaj edhe kanë vendosur që t’i shikojnë kamerat e sigurisë, nga ku sipas tij, vërtetuan atë për çka edhe dyshonin.

“Pas kësaj, e pamë në kamerat e sigurisë që edukatorja në fjalë e ka kapur për fyti, e ka përplasur në dysheme dhe e ka goditur me top”, tha daja i vogëlushes, derisa u shpreh se edukatorja e kishte pranuar fajin dhe kishte kërkuar falje.

“E ka pranuar dhe më thoshte kam gabuar, më fal”, shtoi Avdyli.