
Prokuroria ngre aktakuzë ndaj pejanit, i gjendet një kg drogë në garazhin e shtëpisë
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër B.K., për shkak të veprave penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, thuhet se i pandehuri B.K, më 11 korrik të vitit 2025, në garazhin e shtëpisë, pa autorizim e me qëllim të shitjes ka poseduar substanca narkotike të llojit marihuanë, në peshë bruto prej 959.3 gram, në atë mënyrë që ditën kritike Policia e Kosovës gjatë punës operative në teren, kanë pranuar informatë se i pandehuri B.K në shtëpinë e tij ka në posedim një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuan.
Me këtë rast Policia gjatë bastisjes dhe kontrollit në shtëpi dhe në objektet përcjellëse, pikërisht në garazhet e të pandehurit është gjetur dhe sekuestruar drogë e lartcekur.
I pandehuri B.K. po ashtu. sipas njoftimit të Prokurorisë, akuzohet se më datë 11 korrik 2025, gjatë kontrollit nga Policia e Kosovës në shtëpinë e tij, i është gjetur edhe një armë zjarri e llojit “Zoraki”, një karikator dhe dy fishekë pa leje përkatëse dhe në posedim të paautorizuar.
“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si më lart.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprat penale, të cilat i vihet në barrë”. /Zëri