![Bastisje në dy shtëpi në veri - policia gjen uniforma serbe, emblema nacionaliste e armë [foto]](/uploads/zeri.info/images/2025/October/16/auto_auto_njesia-speciale-veri16871657461760598430.jpg)
Bastisje në dy shtëpi në veri - policia gjen uniforma serbe, emblema nacionaliste e armë [foto]
Policia ka realizuar dy operacione të ndara në komunat Zubin Potok dhe Leposaviq, duke konfiskuar armë dhe pajisje ushtarake në shtëpitë e dy të dyshuarve.
Rasti i parë është shënuar në fshatin Orashak, Zubin Potok, rreth orës 13:00.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e një të dyshuari (i cili ndodhet jashtë vendit), në prani të një të afërmi të tij si dëshmitar, janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë M-48, uniforma ushtarake me emblema “katër C”, si dhe një kapelë ushtarake.
Rasti është duke u trajtuar në procedurë hetimore.
Rasti i dytë ka ndodhur në fshatin Mikinic, Leposaviq, rreth orës 14:30.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit, janë gjetur dhe konfiskuar: një armë automatike AK-47, 55 fishekë, një bajonetë, një predhë e fishekut, dy këmisha me emblema të policisë serbe dhe një jelek i ushtrisë serbe.
I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.
