
Gjendet i vrarë 23-vjeçari shqiptar në parkingun e Universitetit të Peruxhias
Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Peruxhias dhe komunitetin shqiptar në Itali.
Hekuran Cumani, një 23-vjeçar me origjinë shqiptare që jetonte në Fabriano (Ancona), u vra me thikë në orët e para të së shtunës, në një nga parkingjet pranë Universitetit të Peruxhias.
Sipas hetimeve paraprake nga Prokuroria e Peruxhias, ngjarja është klasifikuar si vrasje me dashje, me krimin që rezulton si pasojë e një grindjeje për arsye që cilësohen “të parëndësishme”.
Viktima u godit me thikë në fyt dhe në gjoks, plagë që rezultuan fatale. Shërbimet e urgjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, por nuk mundën të bënin asgjë: i riu kishte ndërruar jetë në vend.
Hekurani kishte udhëtuar drejt Peruxhias për një mbrëmje me shokët. Sipas raportimeve të para, grupi i tij u përfshi në një debat me disa të rinj të tjerë, jashtë një lokali të njohur në zonë – “110 Caffè”, pranë Departamentit të Matematikës dhe Shkencave Kompjuterike të Universitetit.
Sherri verbal u përshkallëzua shpejt në përleshje fizike, ku një person – ende i paidentifikuar nga policia – e goditi Cumanin me thikë, duke i marrë jetën.
Miqtë e Hekuranit, të tronditur nga ngjarja, e përshkruajnë atë si një djalë të qetë, të dashur dhe të apasionuar pas palestrës dhe jetës së shëndetshme.
“Ai e donte trupin e tij, i pëlqente palestra dhe fitnesi. Ishte një mik i mirë, i dashur me familjen dhe kafshët,” – tha një nga miqtë e tij për mediat lokale.
Hetuesit kanë marrë në pyetje të gjithë personat që ishin prezentë gjatë incidentit, ndërsa kamerat e sigurisë përreth zonës po analizohen për të identifikuar autorin e vrasjes.
Ngjarja ka prekur thellë edhe autoritetet lokale. Në një deklaratë të përbashkët, kryetari i bashkisë së Peruxhias, këshilli bashkiak dhe Këshilli Komunal kanë shprehur dhimbjen e tyre për humbjen e jetës së të riut: “Lajmi na ka tronditur të gjithëve. Ne qëndrojmë pranë familjes dhe miqve të tij, të cilët po përjetojnë një dhimbje të padurueshme. Është e vështirë të pranohet që një jetë kaq e re të ndërpritet në një mënyrë kaq të dhunshme. Dhimbja e këtyre orëve shtrihet në të gjithë qytetin. Peruxhia qëndron me ata që po vuajnë sot dhe reflekton, me hidhërim, për një tragjedi që na prek të gjithëve.” /tch