
U kapën me dy kg kokainë e mijëra euro, arrestohen dy persona në Prishtinë
Policia e Kosovës, më saktë Njësia për Reagim të Shpejtë, të martën, gjatë një pike të rregullt kontrolli në Prishtinë, ka ndaluar një automjet me targa të huaja, me drejtues të dyshuarin mashkull kosovar dhe pasagjerin mashkull, shtetas i huaj.
Policia ka njoftuar Njësia e lartcekur policore gjatë zbatimit të autorizimeve të saj, pasi ka kërkuar realizimin e një kontrolli rutinor, i dyshuar mashkull shtetas i huaj ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, mirëpo si rezultat i reagimit profesional policor i njëjti është ndaluar nga njësia policore.
I dyshuari gjatë tërë kohës ka rezistuar në mënyrë agresive duke i sulmuar zyrtarët policorë dhe tek i njëjti gjatë arrestimit janë gjetur dy paketime të mbështjella të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë të dyshuar si substancë narkotike e llojit kokainë pesha e përgjithshme e së cilës arrin rreth 2270.6 gramë (2 kilogramë e 270.6 gramë).
“Përveç substancës së dyshuar narkotike, pas kontrollit te të dyshuarit në vendngjarje janë gjetur edhe:
- Para të gatshme 12550 euro;
- Para të gatshme 1000 euro;
- Një telefon mobil.
Lidhur me rastin në vendngjarje ka dalë edhe Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, si dhe është njoftuar edhe prokurori kompetent, me urdhër të të cilit është kryer kontroll edhe te shtëpia e të dyshuarit shtetas kosovar, mirëpo nuk është gjetur diçka e dyshuar”, ka njoftuar Policia.
Po ashtu, bëhet e ditur se të dyshuarit pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë. /Zëri
