
Fali namazin, mori thikën dhe vrau vajzën e tij në gjumë - aktakuzë ndaj prizrenasit
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit M.G., (shtetas turk), për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Sipas aktakuzës, më 06 maj 2025, rreth orës 05:30 të mëngjesit, në rrugën “Shote Galica” në Prizren, në banesën ku i pandehuri jetonte bashkë me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij, me dashje e privon nga jeta anëtarin e familjes, përkatësisht vajzën e tij, ashtu që në orët e hershme të mëngjesit, menjëherë pas kryerjes së ritualit të faljes së namazit, i pandehuri me dashje ka marrë një thikë kuzhine me gjatësi të tehut rreth 23 centimetra, të cilën familja e përdorte për prerjen e mishit, dhe niset në drejtim të sallonit të banesës, ku ishin duke fjetur vajzat e tij, viktima Sh.G. dhe e dëmtuara A.R., transmeton Zeri.info.
I pandehuri, duke shfrytëzuar momentin kur vajzat ishin në gjumë, afrohet pranë shtratit dhe e sulmon me thikë viktimën Sh.G., duke e prerë në qafë.
Tutje thuhet se në momentin kur viktima Sh.G. fillon të bërtasë zgjohet nga gjumi e dëmtuara -vajza tjetër A.G., e cila tenton ta pengojë të pandehurin në veprimet e tij. I pandehuri më pas e godet edhe atë me të njëjtën thikë, duke i shkaktuar plagë prerëse dhe shpuese në të dy anët e qafës. Nga klithmat e vajzave zgjohet edhe bashkëshortja e tij, R.G., e cila hynë në sallon dhe tenton ta ndalojë të pandehurin, gjatë së cilës pëson lëndime në fytyrë dhe në dorën e majtë.
Pas një përleshjeje të shkurtër, e dëmtuara R.G., ka arrin ta shtyjë të pandehurin në dhomën e gjumit, ku e mbyll dhe bllokon derën me orendi, duke siguruar kështu mundësinë për të telefonuar për ndihmë.
Ndërkaq, si pasojë e plagëve të marra, viktima Sh.G. vdes në vendin e ngjarjes.
“Me këto veprime, i pandehuri M.G. ka kryer veprën penale ‘Vrasja e rëndë’, sipas KPRK-së”.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. /Zëri