Ndalohet një “Porsche” në Vërmicë, ishte e mbushur me cigare dhe pije energjike
Në pikëkalimin kufitar Vërmicë, gjatë një kontrolli të detajuar, zyrtarët doganorë në bashkëpunim me zyrtarët policorë kanë zbuluar mall të padeklaruar.
Në njoftimin e Doganës së Kosovës është bërë e ditur se vetura e ndaluar ishte e tipit “Porsche”, e cila ishte e mbushur me cigare dhe pije energjike.
“Pala nuk kishte deklaruar mallin në momentin e paraqitjes në pikëkalim, duke shkaktuar kështu kundërvajtje doganore, e sanksionuar në bazë të Nenit 251 dhe Nenit 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës (KDAK)”.
“Duke qenë se bëhet fjalë për mallra akcizore, është ndërmarrë masa e konfiskimit të mallit dhe të mjetit transportues, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi deri në përfundimin e procedurave përkatëse. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, në parandalimin e kontrabandës, luftimin e tregtisë së paligjshme dhe mbrojtjen e tregut dhe konsumatorëve në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Doganës.