Kuzhinieri vret me thikë kamerierin 34-vjeçar në Tiranë, autori: U zumë për punën

Kuzhinieri vret me thikë kamerierin 34-vjeçar në Tiranë, autori: U zumë për punën

Kronika October 28, 2025 - 16:37

Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e sotme Tiranën, ku një sherr mes kolegësh në një lokal-piceri në zonën e Komunës së Parisit ka përfunduar me viktimë.

Sipas policisë, 34-vjeçari Indrit Ismaillari, që punonte si kamerier në lokal, është goditur me thikë nga Filip Shehu, 41 vjeç, i cili shërbente si kuzhinier në të njëjtin biznes.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30, pas një konflikti që, sipas dëshmisë së parë të autorit të dyshuar, kishte të bënte me punën. Ismaillari është dërguar me urgjencë në spital, por fatkeqësisht nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra.

Policia ka bërë të ditur se autori i dyshuar është arrestuar menjëherë pas ngjarjes dhe është shoqëruar në komisariat për hetime të mëtejshme.

“Rreth orës 15:30, në zonën e Komunës së Parisit, në ambientet e një lokali, shtetasi F. Sh., rreth 41 vjeç, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës shtetasin I. I., rreth 34 vjeç, të dy punonjës të lokalit. Shtetasi I. I. ka humbur jetën në spital, si pasojë e plagëve. Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, autori i dyshuar është kapur dhe shoqëruar në Komisariat,” thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes tragjike.