Mungon përsëri ministri Sveçla, paralajmërohet paraburgim seancën tjetër

Mungon përsëri ministri Sveçla, paralajmërohet paraburgim seancën tjetër

Kronika October 31, 2025 - 19:12

Në ditën kur do të duhej të sillej me detyrim nga zyrtarët policor, ministri në detyrë i punëve të brendshme Xhelal Sveçla, njoftoi gjykatën se është jashtë vendit.

Ky arsyetim u pranua nga gjyqtari, i cili edhe e shtyu seancën e sotme për gazin lotsjellës, ku përveç Sveclës të akuzuar janë edhe Salih Zyba, Fitore Pacolli e Drita Millaku

Edhe njëherë tjetër ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore për gazin lotsjellës që është hedhur në Kuvend më 2018, në mungesë të ministrit në detyrë të Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Policia e Kosovës kishte urdhëresë për sjellje me detyrim, të Sveçlës, por gjyqtari tha se ai e kishte arsyetuar mungesën e tij paraprakisht me anë të emailit.

“Pasi i pandehuri Xhelal Sveçla e ka njoftuar gjykatën me shkrim duke arsyetuar mungesën, për seancën e sotme gjyqtari merr aktvendim seanca e sotme nuk mbahet, e njëjta do të shtyhet… për 16 janar. Te Sveçla gjykata dërgon ftesë të rregullt. Secila palë që mungon, ndaj asaj pale të lëshohet urdhërarrest dhe kërkesë për caktim të masës së paraburgimit”, ka thënë Sabit Sadikaj – Gjyqtar.

Urdhëresë për sjellje me detyrim policia e Kosovës, kishte edhe për të akuzuarit e tjerë, deputetët Fitore Pacolli e Salih Zyba, por ata u paraqiten në seancë, ndonëse nuk u sqarua nëse vullnetarisht apo si.

Të njëjtit kishin munguar edhe seancën e kaluar për çka gjyqtari u kërkoi arsyetimet.

“Ju përcjelli me shkrim po kam pas arsye..”

Ndonëse gjyqtari nuk lexoi arsyetimin e Sveçles, avokati i tij sipas detyrës zyrtare tregoi arsyen pse nuk ishte sot i pranishëm.

“Sipas informacioneve që kam ministri është në udhëtim zyrtar kaq kam për të deklaruar më shumë nuk di..”, ka thënë Laur Prenaj – Avokat.

Por, veprimet e gjyqtarit në këtë rast, sipas ish-kryetarit të Gjykatës Supreme nuk po vlerësohen të drejta.

“Këtu kemi një urdhër për sjellje me dhunë në këtë situatë është dashur vetëm Policia me një raport me njoftu gjykaten që ai nuk ndodhet në banesë edhe kaq…

Me keqardhje po e them duke u nisur se i kanë para vetës personat që kanë fuqi politike po ndërtojnë procedura që nuk i njeh kodi i procedurës penale ndoshta për ta shmang efektin që krijon urdhëri apo sjellja me dhunë, kjo sdo duhej të ishte breng e gjykatës..”, ka thënë Fejzullah Hasani- Ish kryetar i Gjykatës Supreme.

Xhelal Sveçla, Salih Zyba, Fitore Pacolli-Dalipi dhe Drita Millaku, akuzohen për veprën penale “ Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-s. /dukagjini