Policia godet rrjetin e falsifikimit të pronave shtetërore [foto]
Foto: Policia e Kosovës

Policia godet rrjetin e falsifikimit të pronave shtetërore [foto]

Kronika November 02, 2025 - 14:58

Policia e Kosovës, nën autorizimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka zbuluar dhe dokumentuar një rrjet të dyshuar kriminal që merrej me falsifikimin e dokumenteve të pronave shtetërore, të cilat më pas shiteshin për përfitime financiare milionëshe.

Image

Sipas Policisë, veprimtaria kriminale lidhej me falsifikimin e dokumenteve të përdorura në procedura për bartje dhe legalizim të pronave nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), duke ndryshuar pronësinë dhe tjetërsuar pronat shtetërore në pronësi private.

Image

“Në zbatim të Urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, më datë 1 nëntor 2025, në dy rajone të vendit, policia ka realizuar kontrolle në një shtëpi, tri banesa dhe dy garazhe që dyshohej se ishin nën mbikëqyrje të të dyshuarit,” thuhet në njoftimin e Policisë.

Image

Gjatë operacionit janë sekuestruar dokumente që lidhen me rastin, pajisje për falsifikim, si pesë makina shkrimi të vjetra dhe një pajisje “Paper Trimmer”, si dhe një revole e tipit Zaragio me 103 fishekë, një iPhone 17 Pro, një orë dore Rolex dhe një zinxhir dore Rolex.

Image

Bazuar në provat e siguruara, ndaj të dyshuarit ekziston dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprave penale: falsifikim i dokumenteve, legalizim i përmbajtjes së rreme, mashtrim dhe mbajtje pa autorizim e armëve.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit dhe, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, mbetet e përkushtuar në luftimin e krimeve ekonomike, korrupsionit dhe çdo forme të keqpërdorimit të pronës publike, duke garantuar ligjshmëri, transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës,” thuhet në njoftimin zyrtar.

Image