Vrasja e 63-vjeçarit në Drenas, familja: Nipi dyshohet se e shkrepi aksidentalisht armën
Pasditen e së shtunës u dëgjuan disa krisma të armës në fshatin Fushticë të Ulët të Drenasit.
Si pasojë e tyre, një 63-vjeçar humbi jetën.
Familjarët e të ndjerit, të cilët nuk pranuan të flasin para kamerave, thanë se nipi i 63-vjeçarit në mënyrë aksidentale kishte shkrepur me armë në drejtim të tij.
Kështu, Ragip Shala nuk arriti t’u përballoj plagëve.
I dyshuari sipas njoftimit të Policisë është dërguar në mbajtje.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se kishte qëlluar me armë zjarri për vdekje viktimën mashkull kosovar. Është sekuestruar pistoleta, një gëzhojë dhe një fishek. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, ka njoftuar policia
Teve1 mëson se i dyshuari në stacionin e Policisë në Drenas e ka pranuar fajësinë.
Ndërkaq, nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, thanë se brenda afatit ligjor për të dyshuarin do të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.
“Siç bëhet e ditur në njoftim, hetimet fillestare, të udhëhequra nga Prokurori kujdestar dhe njësitë relevante të Policisë, kanë zbuluar se ngjarja ka ndodhur në garazhin e shtëpisë së viktimës, R.Sh. Gjatë kontrollit të vendit të ngjarjes, janë gjetur një gëzhojë dhe një fishek, si dhe arma e dyshuar një pistoletë ‘ZORAKI 917-T’, që u sekuestrua në shtëpinë e vëllait të viktimës. Viktima, sipas informacioneve të para, u dërgua pa shenja jete në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Komoran, ku mjeku kujdestar kishte konstatuar se ai ishte pa shenja jete”, ka bërë të ditur Prokuroria.