Rrahja në një lokal në Istog, arrestohen dy të dyshuar
Foto: Laura Hasani

Rrahja në një lokal në Istog, arrestohen dy të dyshuar

Kronika November 03, 2025 - 09:38

Mbrëmjen e së shtunës ka ndodhur një rrahje në një lokal në Istog, ku për pasojë një person ka marrë lëndime dhe fillimisht është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare të këtij qyteti e më pas në Spitalin e Pejës, shkruan Zeri.info.

Policia e Kosovës ka njoftuar se tashmë janë arrestuar dy të dyshuar për këtë rast, të cilët ngarkohen me veprat penale “Vrasje në tentativë” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.

Siç bëhet e ditur, me urdhër të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Njoftimi i plotë i Policisë, pa ndërhyrje:

Arrestohen dy (2) persona të dyshuar për veprat penale “Vrasje në tentativë” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.

Pejë, 3 nëntor 2025

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, Stacioni Policor Istog, më datën 02.11.2025, rreth orës 18:50, është informuar për një rrahje, e cila ka ndodhur në një lokal në rrugën “Nëna Terezë” në Istog.

Njësitë policore kanë reaguar me shpejtësi dhe janë përgjigjur menjëherë në vendin e ngjarjes. Si rezultat i veprimeve të shpejta, janë arrestuar dy persona të dyshuar, ndërsa viktima e rastit është dërguar fillimisht në QMF-Istog, e më pas në Spitalin Rajonal në Pejë, për trajtim mjekësor.

Të dyshuarit pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të Shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë. /Zëri