Dyshohet që zyrtari i BE-së që u ther në Gjakovë ishte në të njëjtën veturë me sulmuesin
Një incident i rëndë ka ndodhur të martën në Gjakovë, ku një zyrtar i Bashkimit Evropian është therur me një mjet të mprehtë.
Policia përmes raportit 24-orësh njoftoi se viktima kishte pësuar dy plagë dhe ka marrë ndihmë të menjëhershme mjekësore në QKMF Gjakovë dhe më pas është transferuar në QKUK, ku gjendja e tij raportohet stabile.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në një përgjigje për Telegrafin ka konfirmuar rastin duke shprehur tronditjen dhe shqetësimin për ngjarjen dhe i ka uruar rikuperim të shpejtë dhe të plotë zyrtarit të saj.
Ky medium ka mësuar se zyrtari i BE-së ka kërkuar ndihmë mjekësore në emergjencën e Gjakovës rreth orës 20:00.
Dyshohet se është sulmuar nga një person i panjohur që në atë kohë ishte së bashku në veturë me viktimën dhe se nuk dihet se si janë gjendur në të njëjtën veturë
Sipas Telegrafit, vendi i incidentit nuk dihet, por dyshohet se ka ndodhur nga Klina në drejtim të Gjakovës.
Rasti është duke u hetuar si vrasje e rëndë në tentativë, kurse motivet e këtij sulmi mbeten ende të paqarta.