Forca të shumta policore në shtëpinë e dy vëllezërve në Golluboc - që u vranë nga dhëndri, aktivizohet edhe Njësia K9
Njësitë relevante të Policisë së Kosovës tashmë janë prezente në fshatin Golluboc të Malishevës, konkretisht në shtëpinë ku ndodhi vrasja e dyfishtë.
Në arrati akoma gjendet i dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve.
Ekipi i Tëvë1 nga atje ka bërë të ditur se tashmë aty janë shtuar edhe forca tjera policore për të hetuar rastin.
Madje, edhe Njësia K9 ka nisur kërkimet në malet e fshatit për të gjetur dorasin.
Ndërkohë, vrasja është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
“Mund të konfirmojmë se në fshatin Gulluboc të Malishevës janë gjetur pa shenja jete dy persona”, ka deklaruar për Tëvë1 zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta.
Sipas Policisë, rasti është cilësuar si “vrasje e rëndë”, ndërsa hetimet po zhvillohen në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.
Ndërkohë, për detaje shtesë ka folur edhe zëdhënësi tjetër i Policisë së Kosovës, Sheremet Elezi, i cili ka sqaruar dinamikën e rastit dhe veprimet që janë ndërmarrë deri tani.
“Rreth orës 11:30, Policia e Kosovës është njoftuar se dy persona të gjinisë mashkullore, të moshës madhore (vëllezër), janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kijevë, si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit në fshatin Gulluboc të Malishevës. Personeli mjekësor ka konstatuar vdekjen e tyre. Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, ka deklaruar Elezi.
Ai shtoi se një person i dyshuar është identifikuar dhe se Policia është duke punuar për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
“Në koordinim me prokurorin e Shtetit, po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe arrestimin e të dyshuarit”, ka theksuar Elezi.
