I dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Malishevë ishte në paraburgim për dhunë në familje

I dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Malishevë ishte në paraburgim për dhunë në familje

Kronika November 06, 2025 - 15:20

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar raportimin e disa mediave për Astrit Isufin, të dyshuarin për vrasjen e dyfishtë në fshatin Golluboc të Malishevës.

Nga kjo prokurori kanë pohuar se i njëjti ishte edhe më parë në paraburgim, pasi më 6 prill i ishte caktuar ajo masë nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se prokurori i Shtetit ndaj personit të dyshuar A.I., me datë 06.04.2025 ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, e cila po të njëjtit i është caktuar nga gjykata kompetente”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Ndër të tjera, Prokuroria pohon se Isufi akuzohet për dy veprat penale për të cilat ka raportuar Klankosova.tv, “Dhunë në familje” dhe “Kanosje”.

“Po ashtu, më datë 07.04.2025, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit për veprat penale ‘Dhunë në familje’, në bazë të Nenit 248 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ‘Kanosje’, sipas Nenit 181 të KPRK-së”, kanë njoftuar nga Prokuroria.