Spitali i Pejës sqarohet për rastin e fëmijës që vdiq një ditë pasi ishte liruar në shtëpi
Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka reaguar në lidhje me rastin ku një fëmijë një vjeç e pesë muajsh ka vdekur mëngjesin e së enjtes.
Spitali fillimisht ka shprehur ngushëllimet të sinqerta për familjen e fëmijës, ndërsa tregon se fëmija është pranuar në spital në orën 22:15 të datës 5 nëntor 2025 nga mjeku kujdestar, me ankesa për të vjella.
“Pas trajtimit të ofruar, gjendja e tij është stabilizuar dhe ai është liruar me rekomandimin që të përcillet nga afër dhe, në rast nevoje, të rikthehet për kontroll shtesë”, thuhet në sqarimin e Spitalit.
Tutje thuhet se në mëngjesin e datës 6 nëntor 2025, rreth orës 07:00, fëmija është sjellë sërish në spital, këtë herë në gjendje të rëndë, me çrregullime të vetëdijes dhe probleme serioze në frymëmarrje.
“Menjëherë është trajtuar nga ekipi i mjekëve me oksigjen dhe terapi mbështetëse, por për shkak të përkeqësimit të gjendjes është kryer intubimi nga ekipi i anesteziologëve. Pavarësisht masave reanimatore të ndërmarra me përkushtim dhe sipas protokolleve mjekësore, fatkeqësisht fëmija ka ndërruar jetë në orën 08:50”.
“Në përputhje me procedurat ligjore dhe protokollet standarde, Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar menjëherë Policinë e Kosovës, në orën 09:13, si dhe organet kompetente për zhvillimin e hetimeve sipas ligjit”, thuhet në sqarim.
Spitali i Përgjithshëm i Pejës thotë se mbetet në dispozicion të institucioneve përgjegjëse për çdo sqarim shtesë, duke respektuar dhimbjen dhe privatësinë e familjes. /Zëri