Policia dhe ekspertët alarmojnë, 924 armë të konfiskuara në shtatë muaj
Foto: Laura Hasani

Policia dhe ekspertët alarmojnë, 924 armë të konfiskuara në shtatë muaj

Kronika November 15, 2025 - 20:58

Numri i armëve pa leje që qarkullojnë në duart e qytetarëve të Kosovës vazhdon të jetë i madh, gjë që paraqet problem serioz shoqëror. Prania e tyre po krijon pasiguri dhe rrezik të përhershëm për qytetarët.

Madje, këtë e konfirmon edhe Policia e Kosovës, e cila ka ndërmarrë veprime të shtuara operative në të gjithë vendin, me qëllim të identifikimit dhe konfiskimit të armëve që mbahen pa leje, si dhe parandalimin e veprave penale që cenojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

“Rastet e fundit kanë dëshmuar se armët pa leje shpesh përdoren në incidente të rënda kriminale, përfshirë vrasje dhe tentativa për vrasje. Si reagim ndaj kësaj, Policia e Kosovës ka intensifikuar kontrollet, bastisjet dhe operacionet në terren, duke konfiskuar armë të ndryshme dhe duke iniciuar procedurat ligjore ndaj personave të përfshirë,” ka konfirmuar Policia.

Të dhënat e Policisë tregojnë se numri i armëve të konfiskuara në shtatë muajt e parë të këtij viti ka shënuar rritje. Bazuar në statistikat policore, përgjatë periudhës janar-korrik 2024 janë konfiskuar 924 armë, numër ky që ka shënuar rritje këtë vit, me konfiskim të 1,039 armëve përgjatë periudhës së njëjtë kohore.

Sa i përket municionit, në periudhën janar-korrik 2024 janë konfiskuar 18,307 të tilla, e këtë vit numri është rritur në 18,606.

Kjo gjendje, për njohësit e çështjeve të sigurisë, paraqet shqetësim të lartë për qytetarët e vendit. Sipas tyre, dënimet në këto raste duhet të jenë më të ashpra.

“Zakonisht armët ilegale po i përdorin shumë recidivistët, sepse po shihet nga lëndimet, plagosjet ose vrasjet, shumica e rasteve 90–95% janë recidivistë, andaj mendoj që politika kriminale ose sanksionet ndëshkimore duhet të ndryshojnë; masa ndëshkimore duhet të ashpërohen,” tha Arben Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë.

Ndërkohë, statistikat e Policisë thonë se 12 vrasje janë evidentuar gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit. Situatë kjo që sfidon institucionet kompetente për të gjetur mënyra që t’i detyrojnë personat t’i dorëzojnë armët që i mbajnë pa leje.

“Duhet të gjenden mënyra dhe metoda se si të vihet deri te pajisja e atyre armëve që licencohen dhe ata që licencohen të trajnohen se si mbahet arma, sepse arma vret, ndërsa ato që janë në duart e qytetarëve të gjejnë mënyrë që dorëzohen ato armë,” tha Avni Islami, njohës i çështjeve të sigurisë.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dënimi për armëmbajtje pa leje parasheh gjobë deri në 7,500 euro apo dënim me burg deri në 5 vjet. /rtk