Gjykimi për zjarrin në Koçan, provë për gjyqësorin dhe besimin në drejtësi
Foto: Reuters

Gjykimi për zjarrin në Koçan, provë për gjyqësorin dhe besimin në drejtësi

Kronika November 19, 2025 - 09:54

Gjyqi për një nga tragjeditë më të mëdha në historinë e kohëve të fundit të Maqedonisë së Veriut - zjarri në klubin e natës Pulse në Koçani, i cili vrau 63 njerëz dhe lëndoi mbi 200 të tjerë – fillon sot dhe pritet të jetë provë për gjyqësorin dhe besimin në të.

Në bankën e të akuzuarve në sallën e gjyqit në burgun e Idrizovës në periferi të Shkupit pritet të ulen gjithsej 34 njerëz dhe përfaqësues të tri kompanive të akuzuar. Midis tyre janë pronarët e diskotekës, ish-ministrat e Ekonomisë, ish-kryetarët e bashkisë së Koçanit dhe inspektorë...

Gjyqi po nis tetë muaj pas zjarrit që shpërtheu në orët e mëngjesit të 16 marsit gjatë një shfaqjeje nga grupi muzikor DNK.

Thirrja për drejtësi nga prindërit dhe të afërmit e viktimave ka vazhduar në të njëjtën kohë. Çdo të shtunë, ata kanë organizuar një "Marsh për Engjëjt" nëpër rrugët e Koçanit, dhe i fundit, i 30-ti me radhë, u mbajt në Shkup më 15 nëntor.

Ata u mbështetën nga mijëra qytetarë që marshuan me ta nga sheshi qendror i Maqedonisë së Veriut deri te ndërtesat e Parlamentit dhe Gjykatës Penale Themelore. Të gjithë duan drejtësi, por shumë prej tyre janë edhe skeptikë.

"Duke pasur parasysh historinë e gjyqësorit tonë dhe mënyrën se si është drejtuar më parë sistemi gjyqësor, nuk mund të jesh shumë optimist.

Megjithatë, mendoj se ky është një shans që sistemi gjyqësor të dalë si një autoritet i pavarur dhe të mos i nënshtrohet presionit nga dega ekzekutive", tha për Radion Evropa e Lirë banori i Shkupit, Ilija, i cili ishte pjesë e qytetarëve që marshuan nëpër kryeqytet të shtunën.

Tragjedia në Koçan ndodhi gjatë një shfaqjeje nga grupi muzikor DNA. Shkëndijat nga mjetet piroteknike i vunë flakën tavanit në diskotekë, zjarri u përhap me shpejtësi, ndërsa paniku dhe dalja e ngushtë nga ndërtesa shkaktuan rrëmujë.

Sipas aktakuzës, objekti nuk i plotësonte as kërkesat minimale teknike për kryerjen e aktiviteteve të shërbimit të ushqimit, nuk kishte leje rindërtimi, nuk kishte projekt dhe raporte bazë rindërtimi, si dhe një raport të posaçëm për mbrojtjen nga zjarret, shpërthimet dhe materialet e rrezikshme, si dhe nuk ishte përgatitur ndonjë plan dhe vlerësim për mbrojtje dhe shpëtim.

Një temë e gjerë dhe komplekse

Ky rast shihet nga shumë avokatë si provë për autoritetet gjyqësore, të cilat vitet e fundit janë përballur me një vlerësim besimi publik prej vetëm 2 për qind.

“Ky rast do të jetë një provë jo vetëm e aftësisë së gjykatës për të menaxhuar një procedurë komplekse, por edhe e aftësisë së institucioneve për të ofruar drejtësi që do t’i rezistojë provës së argumentimit ligjor dhe besimit të publikut”, tha për Radion Evropa e Lirë Darko Avramovski, drejtor ekzekutiv i Koalicionit joqeveritar “Të gjithë për një Gjykim të Drejtë” , i cili ka monitoruar procedurat gjyqësore për shumë vite.

Aktakuza në këtë çështje nuk është vetëm e gjerë dhe komplekse sa i përket numrit të të pandehurve dhe viktimave, por edhe sa i përket periudhës kohore që mbulon - 13 vjetët e fundit.

Të pandehurit akuzohen se kanë kontribuar në tragjedi me veprimet e tyre ose se nuk kanë bërë asgjë për ta parandaluar atë. Kjo vlen në veçanti për zyrtarët dhe funksionarët.

Të gjithë do të gjykohen për të njëjtin krim, nxitje të akteve të rënda kundër sigurisë publike.

"Përveç sfidave formale, ka edhe çështje thelbësore që kontribuojnë në kompleksitetin dhe specifikën e këtij rasti. Për shembull, aktakuza i ngarkon të gjithë të pandehurit me të njëjtin krim, edhe pse rolet, veprimet dhe periudha kohore në të cilën kanë ndodhur janë rrënjësisht të ndryshme", thotë Avramovski.

Ky rregullim, sipas tij, "e bën të vështirë individualizimin e përgjegjësisë dhe përcaktimin e qartë të marrëdhënies shkak-pasojë për secilin person individual" dhe kjo do të ndikojë më tej në efikasitetin dhe drejtësinë e procesit.

Megjithatë, thotë ai, drejtësia efektive dhe efikase është e mundur nëse gjyqi zhvillohet me kujdes, profesionalisht dhe pa devijuar nga standardet ligjore. Dhe, është e rëndësishme, thotë ai, të mos lejohet që presioni publik të ndryshojë thelbin e procesit ligjor.

Gjyqtarët, sipas reagimeve të publikut, janë të vetëdijshëm për rëndësinë e procesit që po fillon para Gjykatës Themelore Penale në Shkup.

"Ky proces nuk do të jetë vetëm një provë e përgatitjes sonë ligjore, por edhe e qëndrueshmërisë, profesionalizmit dhe pavarësisë sonë. Secili prej nesh është i vetëdijshëm se raste të tilla ndiqen me vëmendje të madhe nga publiku, por kjo vetëm sa e thekson më tej përgjegjësinë tonë për të qëndruar në përputhje me parimet e drejtësisë dhe sundimit të ligjit", tha kryetarja në detyrë e gjykatës, Daniela Dimovska , në fjalimin e saj në asamblenë vjetore të Shoqatës së Gjyqtarëve më 31 tetor.

Prindërit e viktimave kërkojnë komision hetimor parlamentar

Dhe përveç gjyqësorit, në lëvizje janë edhe deputetët lidhur me rastin e zjarrit në Koçan. Prindërit e "Marshimit për Engjëjt" më 15 nëntor kërkuan para Parlamentit një komision hetimor dhe një seancë dëgjimore mbikëqyrëse për të hedhur dritë mbi përgjegjësinë e plotë për tragjedinë.

Opozita e mbështeti kërkesën. Kryetari i LSDM-së dhe deputeti Venko Filipçe njoftoi se do ta paraqisnin një propozim të tillë në Parlament.

“Grupi parlamentar dhe udhëheqja e partisë vlerësuan se këta janë hapa të nevojshëm për të shqyrtuar veprimet e të gjitha institucioneve, për të përcaktuar përgjegjësinë politike, si dhe për të përgatitur masa dhe zgjidhje të mëtejshme në mënyrë që tragjedi të tilla të mos ndodhin më kurrë në Maqedoni”, tha Filipçe.

Ndërkohë, kryetari i partisë e Majta dhe deputeti Dimitar Apasiev njoftoi se si kryetar i Komisionit të Përhershëm Hetimor, do të caktojë një seancë të posaçme për javën e ardhshme, në të cilën do të shqyrtohen paraqitjet dhe pretendimet e prindërve për zjarrin në Pulse.

Deputeti nga partia në pushtet VMRO-DPMNE, Bojan Stojanoski, tha në një deklaratë për mediat se do ta pranonin kërkesën, por që komisioni hetimor të zgjerohej për të përfshirë edhe tragjedi të tjera që kanë ndodhur në vend, siç është aksidenti i autobusit Durmo Tours.

Lideri i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministri Hristijan Mickoski më parë njoftoi një kërkesë tjetër nga prindërit: një pagesë si ndihmë financiare duke ndjekur shembullin e tragjedisë në spitalin modular në Tetovë në vitin 2021, kur vdiqën 14 njerëz.

“Si Qeveri, deri më tani kemi bërë gjithçka që është në fuqinë tonë dhe do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë. Dhimbja e këtyre familjeve është e madhe dhe është detyra jonë ta lehtësojmë atë sa më shumë që të mundemi”, tha Mickoski më 17 nëntor.

Kush janë të pandehurit?

Ndërsa presin një lëvizje nga deputetët, të 34 të pandehurit duhet të paraqiten në seancën e parë dëgjimore në sallën e gjyqit në Idrizovë më 19 nëntor. Tre prej tyre janë persona përgjegjës, pronarë dhe menaxherë të kompanisë CLASSIC DM - Koçani me një degë Cabaret PULS dhe kompanisë MMMM CAFE - Koçani, të cilat kanë drejtuar një biznes ushqimi në objektin fatal që nga dhjetori i vitit 2012.

Midis të pandehurve është edhe vëllai i pronarit të diskotekës, i cili, sipas prokurorisë, ishte përgjegjës për shitjen e biletave dhe kontrollin e numrit të mysafirëve dhe moshës së tyre.

Sipas vlerësimeve të prokurorisë, në Pulse natën fatale kishte mbi 500 njerëz.

Tre kryetarë të bashkisë së Koçanit do të akuzohen gjithashtu. Ljupço Papazov (VMRO-DPMNE), i cili ishte në detyrë në kohën e tragjedisë, si dhe paraardhësit e tij Nikolço Iliev (LSDM) dhe Ratko Dimitrovski (VMRO-DPMNE).

Sipas prokurorisë, ata e dinin që klubi i natës Pulse ekzistonte në qytet, por nuk bënë asgjë, përkatësisht, vendi nuk ishte i regjistruar në regjistrin e komunës në përputhje me Ligjin për Veprimtari Hoteliere. Ata, siç pretendon prokuroria, i mundësuan lokalit të funksiononte dhe pronarit të paguante një tarifë për kryerjen e aktiviteteve hoteliere.

Kreshnik Bekteshi dhe Valon Saraçini, ish-ministra të Ekonomisë, akuzohen gjithashtu.

Lista përfshin gjithashtu një sekretar shteti dhe pesë zyrtarë nga Ministria e Ekonomisë, e cila është përgjegjëse për lëshimin e licencave për klubet e natës.

Hetimi fillimisht përfshiu dy ministra të tjerë nga ky dikaster, Bekim Neziri dhe Driton Kuçi, por për ta, si për tre persona të tjerë nga ky dikaster, procedura u ndërpre për shkak të provave të pamjaftueshme.

Ministri aktual pa portofol në Qeveri, Shaban Saliu , i cili po ndiqet penalisht si ish-drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, së bashku me tre ish-drejtorë të tjerë, si dhe një inspektor të përgjithshëm i cili ishte kreu i shërbimit të inspektimit në Shërbimin e Sigurisë Shtetërore, do të ulet gjithashtu në bankën e të akuzuarve.

Gjithashtu akuzohen edhe inspektort vendorë, siç janë tre inspektorë ndërtimi nga Komuna e Koçanit, si dhe anëtarë të sigurisë.

Numri i palëve - të pandehurve, avokatëve, si dhe përfaqësuesve të familjeve të dëmtuara, të cilët do të jenë në sallën e gjyqit për çdo seancë dëgjimore, pritet të jetë mbi 70.

Prokuroria, nga ana tjetër, do të përfaqësohet nga rreth 15 prokurorë, të cilët do të alternohen në seancat dëgjimore në varësi të asaj se cili prej tyre ka punuar në cilën pjesë të hetimit.

Gjyqi do të drejtohet nga gjyqtarja Dijana Gruevska-Ilievska nga Gjykata Penale e Shkupit, e cila, ndër çështjet e saj të fundit të njohura, gjykoi rastin e aksidentit të autobusit Durmo Tours në Laskarci në vitin 2019, kur vdiqën 16 njerëz.

Çështja, sipas një vendimi të Gjykatës Supreme, iu caktua Gjykatës Themelore Penale të Shkupit sepse gjykatat në Shtip dhe Strumicë nuk kanë numër të mjaftueshëm gjyqtarësh në çështjet penale.

Por, edhe sepse Gjykata Supreme besonte se çështja duhet të trajtohet nga “gjyqtarë me përvojë dhe njohuri të fituara për çështjet penale, të cilët do të mundësojnë procedura efikase, profesionale dhe ligjore, dhe në të njëjtën kohë do të kontribuojnë në rritjen e ndërgjegjësimit publik”.

Dy procedura të tjera për Pulsin

Janë edhe dy raste të tjera që lidhen me zjarrin Pulse.

Njëri prej tyre është i lidhur me kompaninë Rubicon Security Solutions, e cila ishte përgjegjëse për sigurimin e diskotekës. Pronari i saj, A.N., po ndiqet penalisht për krime të rënda kundër sigurisë publike.

Aktakuza tregon se pronari i kompanisë së sigurisë bëri gabime operative, domethënë nuk veproi në përputhje me rregulloret dhe rregullat teknike për masat mbrojtëse, duke shkaktuar kështu një rrezik në shkallë të gjerë për jetën dhe trupin e njerëzve, si dhe pronën.

Prokuroria pretendon se sigurimi i diskotekës nga Rubikon është kryer pa një marrëveshje me shkrim me klubin Pulse, dhe pa kontroll e mbikëqyrje mbi përmbushjen e detyrimeve të punonjësve që ofronin sigurinë e pronës.

Aktakuza për këtë rast u miratua nga Gjykata Themelore Penale më 17 tetor.

Aktualisht nën hetim është një rast që përfshin dhjetë oficerë policie të cilët akuzohen se kanë dhënë leje nga viti 2012 deri në vitin 2022 dhe i kanë mundësuar personit juridik, diskotekës Pulse, të marrë një licencë për të kryer aktivitete hotelerie, edhe pse nuk i plotësonte kushtet e kërkuara.

Ky hetim po kryhet nga Departamenti i Specializuar për Ndjekjen e Veprave Penale të Kryera nga Persona me Autorizime Policore dhe Anëtarë të Policisë së Burgjeve në kuadër të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PPO GOKK). /REL