Një burrë në Lipjan dyshohet se sulmoi bashkëshorten me sëpatë
Një grua dyshohet se është sulmuar me sëpatë nga bashkëshorti i saj në fshatin Gadime të Ulët në Lipjan.
Këtë e ka konfirmuar për “Zërin” Kaltrina Shala, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
“Ju njoftojmë se po dyshohet se një burrë ka sulmuar bashkëshorten e tij me sëpatë. Ngjarja është duke u cilësuar si ‘Vrasje në tentativë’, në bazë të Nenit 172, lidhur me paragrafin 1.8 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë Shala.
Tutje ajo ka bërë të ditur se i dyshuari është në arrati.
“Për momentin i dyshuari ndodhet ende në arrati, ndërsa prokurori i Shtetit në koordinim me njësitet e tjera relevante po i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për arrestimin e tij”, ka deklaruar Shala.
Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, ka thënë për “Zërin” se viktima është dërguar për trajtim mjekësor dhe se janë në kërkim të të dyshuarit.
“Sot në stacionin policor të Lipjanit është iniciuar një rast ‘Vrasje në tentativë’. Hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë kanë nisur veprimet hetimore e procedurale, ndërkohë që personi i lënduar (femër) është dërguar për trajtim mjekësor. Lidhur me rastin është identifikuar personi i dyshuar, i cili është në kërkim nga ana e policisë”, ka treguar Ahmeti. /Zëri