4 vjet e 6 muaj burgim Pal Berishës, tentoi ta vrasë një person për pronë në Gjakovë
Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit Pal Berisha, me dënim prej katër vjet e gjashtë muaj, për tentim vrasjeje të Gj.B. në rrugën “Diaspora” në Brekoc të Gjakovës, më 20 dhjetor të vitit 2024.
Në njoftimin e lëshuar nga Gjykata, i dyshuari akuzohet për “Vrasje” të mbetur në tentativë dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Gjykata theksoi se i akuzuari e kishte gjuajtur me armë viktimën për shkak të një mosmarrëveshjeje pronësore të vazhdueshme.
“Trupi gjykues, i kryesuar nga kryetari Drilon Haraçia, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, shpalli aktgjykimin me të cilin i pandehuri u shpall fajtor dhe ndaj tij u shqiptua dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) vjet e gjashtë (6) muaj”, thuhet në njoftim.
Si pasojë e plagëve që kishte marrë viktima, ishte detyruar që t’i nënshtrohet menjëherë një operimi.
“I pandehuri akuzohet se më datë 20 dhjetor 2024, rreth orës 09:30, në rrugën ‘Diaspora’ në Brekoc – Gjakovë, i pandehuri, pas një mosmarrëveshjeje pronësore të vazhdueshme ka tentuar me dashje ta privojë nga jeta të dëmtuarin Gj.B. Gjatë një bisede pranë rrethojës së oborrit, pas një fjalosjeje, i pandehuri ka nxjerrë pistoletën dhe ndërsa i dëmtuari po largohej me vrap, ka shtënë nga një distancë rreth 3 metrash, duke e goditur në pjesën e poshtme të shpinës. Si pasojë, i dëmtuari ka pësuar lëndime të rënda dhe të rrezikshme për jetën, për të cilat ka qenë i nevojshëm operimi”, theksohet në njoftim.
Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.