Arrestohen tre persona në flagrancë, eksploatonin zhavorr përreth lumit Drini i Bardhë
Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, më 04.06.2025 pati zhvilluar një aksion të suksesshëm kundër degradimit të mjedisit, si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për mbrojtjen e natyrës dhe pasurive mjedisore.
Ky aksion kishte si qëllim parandalimin e aktiviteteve të paligjshme që dëmtojnë mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve, ku janë arrestuar 19 persona dhe janë sekuestruar 40 mjete të kryerjes së veprës penale duke përfshirë: 10 kamionë, 15 ekskavatorë, 15 makineri seperimi, si dhe prova të tjera materiale, ku vlera totale e sekuestrimit ishte rreth 2 milionë euro.
“Megjithatë, më 17.12.2025, vetëm disa muaj pas këtij aksioni, ka pasuar një tentativë tjetër për dëmtimin e mjedisit. Lidhur me këtë rast, tre persona janë arrestuar në flagrancë, në orët e vona të natës, pasi tentuan të eksploatonin zhavorr përreth lumit Drini i Bardhë. Lidhur me këtë rast janë sekuestruar një kamion dhe një ekskavator”, thuhet në njoftim.

Personat e arrestuar gjenden në ndalim 48-orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
“Prokuroria Themelore në Prizren, do të vazhdojë të jetë vigjilente dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar aktivitete të paligjshme që mund të shkaktojnë dëm të madh për mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve.
Po ashtu, Prokuroria Themelore në Prizren apelon për angazhimin e të gjithëve në mbrojtjen e mjedisit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së resurseve natyrore dhe respektimit të ligjit për një të ardhme më të qëndrueshme”, thuhet në njoftim.
