Një grua gjendet e vdekur në një shtëpi në Junik, tjetra pa vetëdije dërgohet në QKUK
Një rast i rëndë ka ndodhur dje në Junik, ku dy gra të moshuara janë gjetur pa vetëdije në shtëpinë e tyre, shkruan Zeri.info.
Sipas raportit ditor të Policisë, njëra prej tyre ka vdekur në shtëpi në momentin që ekipi mjekësor kishte mbërritur atje, kurse tjetra është dërguar pa vetëdije në gjendje të rëndë në QKUK.
Policia ka bërë të ditur se, me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, përderisa tashmë është duke e hetuar këtë rast.
Raporti i plotë i Policisë, pa ndërhyrje:
Hetim i vdekjes
Junik / 17.12.2025 – 15:30. Raportohet se në një shtëpi janë gjetur pa vetëdije dy femra të moshuara, kosovare. Lidhur me rastin ekipi mjekësor ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar se njëra nga viktimat është pa shenja jete, ndërsa tjetra është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK në gjendje të rëndë. Në vendin e ngjarjes, përveç njësive policore, ka dalë edhe prokurori, me vendimin e të cilit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. /Zëri