Zbulohen mallra të padeklaruara në Dheun e Bardhë, vlera rreth 4 mijë euro

Zbulohen mallra të padeklaruara në Dheun e Bardhë, vlera rreth 4 mijë euro

Kronika December 18, 2025 - 12:12

Gjatë kontrolleve të rregullta të zhvilluara në Zyrën e Brendshme Doganore në Dheun e Bardhë, zyrtarët doganorë kanë zbuluar një ngarkesë mallrash të padeklaruara, të futura në kundërshtim me procedurat ligjore doganore.

Sipas njoftimit, gjatë ekzaminimit të detajuar të ngarkesës së paraqitur për kontroll, janë konstatuar pjesë të përdorura për automjete që nuk ishin deklaruar sipas rregullave në fuqi. Pas verifikimeve përkatëse, vlera e përgjithshme e mallit të padeklaruar është vlerësuar rreth 4.000 euro.

Mallrat janë ndaluar nga Dogana e Kosovës, ndërsa ndaj palës përgjegjëse është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, në përputhje me nenin 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizës së Kosovës.

Dogana e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e tregut të brendshëm dhe interesit publik, duke vazhduar zbatimin rigoroz të ligjit dhe parandalimin e çdo forme të shkeljeve doganore. /Zëri