Sveçla jep detaje të reja për aksionin e AKI-së dhe Policisë, ku u arrestuan disa zyrtarë të lartë

Sveçla jep detaje të reja për aksionin e AKI-së dhe Policisë, ku u arrestuan disa zyrtarë të lartë

Kronika December 18, 2025 - 22:11

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka dhënë detaje lidhur me aksionin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe Policisë së Kosovëë, ku u arrestuan disa persona nën dyshimin se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe për korrupsion.

Sipas Sveçlës, të arrestuarit dyshohet se kanë vepruar si grup i organizuar dhe kanë të bëjnë me procesin e shpronësimit të pronave në komunëne e Graçanicës, raporton Zeri.info.

“Në këtë rast janë të përfshirë disa zyrtarë të lartë publikë dhe persona përgjegjës, përfshirë: kryetarin e degës së Gjykatës së Graçanicës, J. M.; zyrtarë nga avokatura N. K., M. D. dhe B. D.; ekspertin e gjykatës Sh. T.; zyrtarin në Departamentin e Shpronësimeve; zyrtari i ATK G.L si dhe ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, F. I.

Sipas dyshimeve, personat e lartpërmendur kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës”, thekson ministri në detyrë.

Bëhet e ditur se të dyshuarit kanë inicuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës me qëllim të rikompensimit të paligjshëm për shpronësimet e kryera gjatë viteve 2011–2015, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga fondet publike.

“Koha kur zyrtarët publikë kanë keqpërdorur buxhetin e Republikës së
Kosovës pa u ndëshkuar, ka përfunduar.

Përgëzoj institucionet për këtë sukses të radhës në luftën pa kompromis kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit.

Vullneti politik për t’i luftuar dukuritë negative, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ai qytetar po japin rezultate konkrete për ndërtimin e një shteti ligjor, të zhvilluar dhe të pacenueshëm nga çfarëdo forme e krimit në vendin tone”, shkroi ndër tjera Sveçla. /Zëri