Një vit burgim me kusht për burrin që goditi një grua me grushte e shuplaka
Gjykata Themelore në Prishtinë, me gjykatës Sabit Sadikaj, ka dënuar me një vit burgim me kusht të akuzuarin V.V., i cili sipas aktakuzës e kishte goditur me shuplaka dhe grushte, si dhe me thikë ia kishte gërvishtur dorën e majtë të dëmtuarës N.N.
Shpallja e vendimit u bë nga gjykatësi Sadikaj, i cili tha se i akuzuari dënohet me një vit burgim për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, me kusht që brenda tre vjetëve të mos kryejë ndonjë vepër të re penale”.
Të dëmtuarën gjykata e udhëzoi për realizimin e kërkesës pasurore në kontest të rregullt juridiko-civil, ndërsa palët që janë të pakënaqura kanë të drejtë ankesë për vendimin e arsyetuar brenda afatit prej 30 ditësh.
Prezent në shpalljen e vendimit nuk ishte i akuzuari V.V., as nga Prokuroria, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës së ndryshuar të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, datë 3 gusht 2022, thuhet se më 27 maj 2022 në Fushë-Kosovë, i pandehuri V.V., duke ushtruar presion ndaj dëmtuarës N.N. për të hapur telefonin e saj, e ka goditur në kokë me shuplaka dhe grushte dhe pastaj me thikë ia ka gërvishtur dorën e majtë afër bërrylit, duke i shkaktuar lëndim të lehtë trupor me pasoja të përkohshme për shëndetin.
Për këto veprime V.V. ngarkohet me veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga Neni 185, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
V.V. ngarkohet edhe me veprën penale “Shtrëngim”, por gjykata ka veçuar këtë çështje duke e deleguar paraprakisht në Departamentin për të Mitur. /BetimipërDrejtësi