“Derisa ishte në banesë iu përkeqësua gjendja”, Policia jep detaje për vdekjen e Shemit të “Ilirëve”

“Derisa ishte në banesë iu përkeqësua gjendja”, Policia jep detaje për vdekjen e Shemit të “Ilirëve”

Kronika December 23, 2025 - 08:42

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për vdekjen e këngëtarit të njohur Shemsi Krasniqi, i njohur gjerësisht si Shemi, vokalisti i grupit të famshëm “Ilirët”.

Në raportin ditor, Policia thotë se ai u gjet i vdekur në banesën e tij dhe se i njëjti vdiq pasi iu kishte keqësuar gjendja.

“Rr. ‘UÇK’, Prishtinë, 22.12.2025 - 14:50. Raportohet se viktimës mashkull kosovar, përderisa ishte në banesën e tij, i është keqësuar gjendja shëndetësore. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e Policisë, teksa theksohet se tashmë është duke u hetuar ky rast.

Shemi ishte një nga zërat më ikonikë të muzikës shqiptare, artisti që i dha shpirt këngës që u shndërrua në simbol kombëtar, “Xhamadani vija-vija”.

Shemsi Krasniqi – Shemi ishte ndër figurat më të njohura dhe më të dashura të skenës muzikore shqiptare, këngëtar dhe vokalist i grupit legjendar “Ilirët”, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e rokut dhe muzikës moderne shqiptare.

I lindur dhe i rritur në Kosovë, ai u bë i njohur në vitet ’80 si zëri kryesor i grupit “Ilirët”, një formacion që shumë shpejt u shndërrua në simbol të një brezi të tërë.

Në një periudhë kur muzika ishte edhe formë shprehjeje, rezistence dhe identiteti, këngët e interpretuara nga Shemi u kthyen në himne të rinisë shqiptare.

Ai mbetet veçanërisht i paharruar për interpretimin e këngës “Xhamadani vija-vija”, e cila me kalimin e viteve u bë një simbol kombëtar, e kënduar në koncerte, festa, tubime dhe ngjarje të rëndësishme kulturore e shoqërore.

Zëri i tij i fuqishëm dhe interpretimi emocional i dhanë këngës një identitet të veçantë, që vazhdon të jetojë edhe sot.

Me grupin “Ilirët”, Shemi interpretoi edhe këngë të tjera të njohura si “Fjalët e qiririt”, “Kënga e Naimit”, “Larg vendlindjes” dhe shumë krijime të tjera që trajtonin temat e atdhedashurisë, mallit, identitetit dhe shpresës.

Muzika e tyre ishte një ndërthurje e rokut me elemente folklorike, çka i bëri unikë në skenën shqiptare.

Përtej skenës muzikore, Shemi njihej si një artist i drejtpërdrejtë, autentik dhe i lidhur ngushtë me publikun.

Ai ishte aktiv edhe në diasporë, ku koncertet e “Ilirëve” bashkonin shqiptarë nga vende të ndryshme të Evropës, duke ruajtur dhe forcuar lidhjen me kulturën, muzikën dhe gjuhën shqipe.