IPK-ja gjatë vitit 2025 arrestoi 47 zyrtarë policorë, ankesat u rritën për 20%
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka publikuar përmbledhjen e aktiviteteve për vitin 2025 (deri më 26 dhjetor), duke evidentuar rritje të ndjeshme të ankesave dhe intensifikim të veprimeve hetimore, disiplinore dhe inspektuese.
Gjatë këtij viti, IPK-ja ka pranuar dhe menaxhuar gjithsej 2480 ankesa, mbi 20% më shumë krahasuar me vitin 2024 (2046 ankesa). Nga to, 1753 ankesa janë klasifikuar si shkelje disiplinore dhe janë përcjellë për trajtim në Policinë e Kosovës, ndërsa 717 ankesa janë dërguar në Departamentin e Hetimeve të IPK-së me dyshime për vepra penale, transmeton Zeri.info.
Në kuadër të veprimeve ligjore, IPK-ja ka:
Arrestuar 47 persona (41 punonjës të Policisë së Kosovës dhe 6 qytetarë);
Dhënë 129 rekomandime për suspendim dhe dy për transfere;
Dorëzuar në prokurori 110 kallëzime penale, 36 raporte të veçanta dhe 85 raporte informuese.
Vepra penale më të shpeshta të trajtuara gjatë vitit 2025 kanë qenë: “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Rrezikimi i trafikut publik”, “Lëndimi i lehtë trupor” dhe “Kanosja”.
IPK-ja ka realizuar gjithashtu 12 inspektime (5 të rregullta dhe 7 të jashtëzakonshme), nga të cilat kanë dalë 76 rekomandime për përmirësimin e performancës policore. Inspektimet kanë përfshirë fusha të ndryshme, nga menaxhimi i punësimit dytësor dhe qendrat e ndalimit, deri te trajtimi i dhunës në familje, siguria në komunitet dhe përdorimi i teknologjisë në trafik.
Gjatë vitit, IPK-ja ka shtuar aktivitetet e bashkëpunimit me qytetarë, media, organizata qeveritare e joqeveritare, si dhe me partnerë vendorë, rajonalë e ndërkombëtarë. Institucioni ka vlerësuar lart bashkëpunimin me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Prokurorinë e Shtetit dhe agjencitë homologe të rajonit, si dhe pjesëmarrjen aktive në forume dhe mekanizma evropianë e ndërkombëtarë kundër korrupsionit.
IPK-ja ka falënderuar qytetarët për bashkëpunim, duke ritheksuar zotimin për transparencë, integritet dhe forcim të standardeve profesionale policore. Të dhëna më të detajuara pritet të publikohen në Raportin Vjetor të IPK-së për vitin 2025.