Aktakuzë ndaj 15 personave për mashtrim dhe abuzim me tenderë, dëmtuan buxhetin rreth 4 milionë euro
Foto: Laura Hasani

Aktakuzë ndaj 15 personave për mashtrim dhe abuzim me tenderë, dëmtuan buxhetin rreth 4 milionë euro

Kronika December 31, 2025 - 14:51

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave fizikë dhe tre personave juridikë, nën dyshimet për përfshirje në keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, si dhe falsifikim të dokumenteve.

Sipas aktakuzës, të pandehurit fizikë N.D., A.M., A.B., Xh.B., M.Z., F.D., F.Z., A.Sh., M.L., D.L., A.B. dhe I.E., si dhe personat juridikë “A&F P.” Sh.p.k, “S.” Sh.p.k dhe “Sh.G” Sh.p.k, dyshohet se kanë keqpërdorur detyrat zyrtare, kanë falsifikuar dokumente dhe kanë manipuluar procedurat e prokurimit publik me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit A.M. dhe N.D., në periudhën nga 2 prilli 2019 deri më 11 mars 2021, në cilësinë e personave zyrtarë pranë Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), kanë hartuar kritere përzgjedhëse në procedurat e tenderimit për blerjen e pakove të pajisjeve për fusha lëndore dhe mirëmbajtje, të cilat, sipas Prokurorisë, kanë favorizuar operatorin fitues dhe kanë përjashtuar padrejtësisht operatorë të tjerë ekonomikë. Si pasojë, buxhetit të shtetit i është shkaktuar dëm në vlerë prej 1,824,970 euro.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, të pandehurit A.B., Xh.B., M.Z., N.D. dhe A.M., në periudhën nga 26 tetori 2020 deri më 27 nëntor 2023, duke vepruar si persona zyrtarë pranë MASHTI-t, në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, kanë kontraktuar produkte me çmime deri në 1,900 për qind më të larta se çmimet e tregut, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej 2,148,282.35 euro.

Në aktakuzë theksohet gjithashtu se, në kundërshtim me kushtet kontraktuale, janë lejuar dorëzime të produkteve me origjinë nga Kina dhe Turqia, në vend të produkteve me origjinë nga Bashkimi Evropian, siç ishte paraparë në kontratë. Si pasojë e këtyre veprimeve, sipas Prokurorisë, buxheti i shtetit është dëmtuar edhe për 3,626,243.80 euro të tjera.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se do të vazhdojë ndjekjen penale të këtij rasti në përputhje me legjislacionin në fuqi.