Situatë alarmante nga mjetet piroteknike: 35 persona kërkuan ndihmë në QKUK, disa me lëndime të rënda
Situatë alarmante ishte mbrëmë në QKUK.
Kjo për shkak të numrit të madh të personave që kërkuan ndihmë, pas lëndimeve nga mjetet piroteknike.
Shefi i ndërrimit në Klinikën Emergjente në QKUK, Ejup Govori, ka paralajmëruar se situata me të lënduarit nga përdorimi i mjeteve piroteknike gjatë natës së Vitit të Ri është serioze.
Ai tha se numri i të lënduarve ka arritur në 35, duke përfshirë raste me lëndime të rënda që mund të çojnë në invaliditet të përhershëm.
Ai tha se mosha e të lënduarve ishte e ndryshme, megjithatë dominonte të rinjë dhe kishte edhe persona më të moshuar.
“Mundem me konsideru se gjendja është alarmante. Prej orës 22:40 numri ka arritur nga lëndimet me mjete piroteknike në 35. Pjesë e konsiderueshme e tyre janë më lëndime serioze. Me lëndime të shuplakave të duarve. Lëndime që mund të lënë me invaliditet të përhershëm. Kemi edhe disa me lëndime të syrit, lëndime serioze të syrit, është një i cili është transferuar në repartin e oftalmologjisë dhe atje është nënshtruar operacionit. Kjo është një gjendje e cila me të vërtetë është shumë, shumë e rëndë”, tha ai.
Kurse, lindja e parë e vitit 2026 në Kosovë ka ndodhur në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku në orët e para të vitit të ri kanë ardhur në jetë trenjakë, tre djem.
Sipas stafit mjekësor, lindja është realizuar me sukses nga ekipi i Klinikës së Gjinekologjisë, ndërsa si nëna ashtu edhe foshnjat janë në gjendje të mirë dhe stabile shëndetësore, nën monitorim të vazhdueshëm mjekësor.Në QKUK shërbimet kanë funksionuar pa ndërprerje edhe gjatë festave të Vitit të Ri.