Nuk i ndalet patrullës së policisë, 17-vjeçari shkakton aksident trafiku në Ferizaj
Një i mitur është ndëshkuar nga Policia e Kosovës, pasi nuk i është ndalur patrullës policore dhe më pas ka shkaktuar një aksident trafiku në Ferizaj.
Sipas komunikatës për media të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, ngjarja ka ndodhur më 5 janar 2026, në rrugën “Rexhep Bislimi”, ku personi E.A. (17 vjeç), duke drejtuar një automjet të tipit VW Golf me targa vendore, nuk është ndalur patrullës së policisë.
I njëjti ka vazhduar lëvizjen dhe në rrugën magjistrale, në fshatin Bibaj të Ferizajt, ka shkaktuar aksident trafiku me dëme materiale, pasi është përplasur me një automjet tjetër, transmeton Zeri.info.
Gjatë kontrollit policor është konstatuar se i dyshuari nuk posedonte patentë shoferi, ndërsa automjeti që drejtonte ishte i paregjistruar, me afat regjistrimi të skaduar që nga 13 tetori 2024.
Për shkeljet e kryera, policia ka shqiptuar gjoba në vlerë totale prej 600 eurosh: 150 euro për mosndalje në shenjën “STOP” të policisë, 250 euro për shkaktim të aksidentit dhe 200 euro për drejtim të automjetit me regjistrim të skaduar. Po ashtu, është iniciuar rast për gjykatë për kundërvajtje për drejtim të automjetit pa patentë shoferi, ndërsa automjeti është konfiskuar përkohësisht.
Policia Rajonale e Ferizajt ka apeluar te qytetarët që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të mos drejtojnë automjete pa patentë shoferi, me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion. /Zëri