Policia ndëshkon shoferin që qarkullonte me drita rotative të paautorizuara në Prishtinë
Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit ka ndërmarrë veprime policore ndaj një shoferi, i cili është hasur duke qarkulluar me automjet të pajisur me drita rotative, në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.
Sipas Policisë së Kosovës, gjatë kontrollit në trafik është konstatuar se pajisjet ndriçuese të vendosura në automjet nuk ishin të lejuara për përdorim, ndërsa shoferi kishte dalë në qarkullim me to, duke shkelur rregullat e trafikut rrugor, transmeton Zeri.info.
Ndaj drejtuesit të mjetit, në përputhje me legjislacionin në fuqi, është shqiptuar gjoba përkatëse, si dhe masa mbrojtëse e ndalimit të patentë shoferit për një periudhë prej tre muajsh.
Policia e Kosovës, përkatësisht Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit, ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe ligjet në fuqi dhe të mos përdorin pajisje të paautorizuara, pasi veprime të tilla rrezikojnë sigurinë rrugore dhe rendin publik. /Zëri
