Deklarata e Valon Berishës: Pranoi që mori paratë nga BKS-ja, kërkon marrëveshje t’i kthejë me këste
Valon Berisha, ish-drejtor i Financave dhe Kontabilitetit në Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS), ka rënë në pranga sikurse ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku, përgjatë një operacioni të madh të Prokurorisë Themelore të Prizrenit për keqpërdorim masiv financiar dhe pagesa të pajustifikuara në vlerë prej mbi një milion euro.
Gazeta Sinjali ka arritur të sigurojë deklaratën e Berishës, të bërë tek avokati Fanol Krasniqi, i cili përmes saj pranon për dëmin e shkaktuar në vlerë prej një milion eurove.
Kësisoj, ai në deklaratën e përpiluar në mars të këtij viti, kërkon nga BKS-ja që t’i kthejë paratë përmes kësteve. Kësti i parë propozon që të jetë 100 mijë euro.
“Andaj, Byrosë i propozojmë që të ndërmarrë veprimet respektive në përllogaritjen e dëmit, ashtu që të mundësohet arritja e një marrëveshje sa më të favorshme për palët. Ndërsa, për të garantuar përmbushjen e plotë dhe efikase të detyrimit, kërkojmë që të shqyrtojë mundësinë e dakordimit të pagesës së shumës që do dalë nga ekspertimi Juaj financiar, në disa këste, ku si shprehje e vullnetit të mirë, shprehim gatishmërinë për lartësi të këstit të parë deri në njëqindmijë euro”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e tij.

Po ashtu, ai merr përgjegjësinë për gjithçka që ka ndodhur në BKS.
“Punonjësit tjerë të Byrosë, përfshirë ata në pozita drejtuese apo ekzekutive, nuk kanë pasur qasje, njohuri apo përfshirje në vendimmarrjet financiare të ndërmarra nga unë. Çdo veprim i ndërmarrë ka qenë në kuadër të përgjegjësive dhe diskrecionit tim profesional, pa ndonjë ndikim apo ndërhyrje nga persona të tjerë brenda Byrosë“.
Berisha dyshohet se ka pasur rol të rëndësishëm në menaxhimin dhe realizimin e transaksioneve financiare gjatë periudhës kur janë kryer pagesat e dyshimta që kapin vlerën mbi 1 milion euro, përmes xhirollogarive të BKS-së.